WeBER
NISMA WeBER
Qytetari thotë fjalën e tij për efiçencën e Administratës Publike në nivel vendor
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve (Observatori) në kuadrin e Reformës në Administratën Publike (RAP) po zbaton nismën “WeBER” me temë “Monitorimi i efektivitetit të përformancës së administratës së qeverisjes vendore nëpërmjet vlerësimit të opinionit të qytetarit”. Kjo nismë po zbatohet në 2 bashki dhe përkatësisht në Bashkinë Tiranë dhe Bashkinë Cërrik. Zona pilot të nismës janë Njësitë administrative nr.5, 6, Dajt dhe Petrelë për Bashkinë Tiranë dhe Njësitë Administrative Cërrik dhe Gostimë të Bashkisë Cërrik. Kohëzgjata e nismës është 7 muaj, Qershor – Dhjetor 2017. Qëllimi kryesor i nismës është vlerësimi i mendimit të publikut (banorëve) në lidhje me transparencën e qeverisjes vendore, shërbimet që ofrohen, format më të mira të informimit publik dhe efektivitetin e administratës publike.
Kjo nismë financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Mbretëria e Holandës nëpërmjet Instrumentit të Grantit të Vogël të projektit “WeBER – Mundësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor për Monitorimin e Reformës në Administratën Publike nga Shoqëria Civile”që zbatohet në Shqipëri nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM). Projekti do të zbatohet nëpërmjet realizimit të disa instrumentave matës që do të shërbejnë për matjen e perceptimit të mendimit të komunitetit dhe stafit të administratës vendore si; pyetësorë dhe intervista. Takimet në komunitet dhe me stafin e administratës së njësive të qeverisjes vendore pilot gjatë të cilave do të prezantohet nisma dhe objektivat që synohen të arrihen janë gjithashtu pjesë e aktiviteteve të procesit të zbatimit të saj. Nxitja e dialogut publik do të arrihet përmes 2 takimeve ballafaqësuese me pjesmarrje të komunitetit dhe administratës vendore ku do të shpalosen rezultatet e shprehjes së mendimit të dy palëve dhe krahasimi i tyre përsa i përket perfomancës së administratës së bashkive Tiranë dhe Cërrik. Në përfundim të zbatimit të nismës do të prezantohen në një takim përmbyllës rezultatet e saj, gjetjet, rekomandimet dhe krahasimi i eksperiencave më të mira. Aktivitetet kryesore të nismës WeBER do te bëhen publike gjatë gjithë kohës së zbatimit të saj në faqen e web-it të Observatorit: www.observator.org.al dhe facebook: Observatori për të Drejtat e Fëmijëve/Observatory for Children’s Rights si dhe në media të tjera.
Për të gjithë që janë të interesuar të dinë më shumë për nismën që zbatohet nga Observatori mund të kontaktojnë në adresën e emailit: info@observator.org.al si dhe personit të kontaktit: z.kondi@observator.org.al
#EU_WeBER
Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Mbretëria e Holandës nëpërmjet Instrumentit të Grantit të Vogël të projektit “WeBER – Mundësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor për Monitorimin e Reformës në Administratën Publike nga Shoqëria Civile”që zbatohet në Shqipëri nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).
Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë
Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë bëhet në përputhje me nenin 13 të Kreut IV “Arsimi bazë” i Dispozitave Normative për sistemin arsimor parauniversitar, 2013.
Procedurat e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë
- Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë të arsimit bazë për vitin e ri shkollor bëhet në dy javët e fundit të muajit qershor.
- Në gjashtë ditët e para kanë të drejtë të regjistrohen në klasën e parë të një shkolle publike vetëm nxënësit që i përkasin zonës së shkollës. Kur largësia e banesës së fëmijës nga dy shkolla publike është e diskutueshme, prindi zgjedh njërën nga dy shkollat.
- Në katër ditët pasuese kanë të drejtë të regjistrohen edhe nxënës që u përkasin shkollave të zonave të tjera. Regjistrime të veçanta pranohen deri ditët e para të fillimit të vitit shkollor në muajin Shtator.
- Çdo institucion arsimor duhet të zbatojë listën emërore të fëmijëve të dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në vijim të zbatimit të Urdhrit të përbashkët nr. 2, datë 05.01.2015 “Për miratimin e rregullores për zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit, datë 02.08.2013 “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor””.
- Regjistrimi i fëmijës në klasën e parë bëhet me këto dokumente:
- Certifikata e lindjes e fëmijës.
- Vërtetimi i vaksinimeve nga qendra shëndetësore.
- Raporti nga okulisti.
- Adresa e fëmijës.
- Vërtetimi i ndjekjes së kopshtit sipas grupeve, i firmosur nga drejtori i kopshtit (nëse ka).
- Në raste të veçanta, kur prindi dëshiron të regjistrojë fëmijën në klasë e parë, por:
- nuk disponon certifikatën e lindjes, drejtori i shkollës lejon që fëmija të ndjekë shkollën, sipas moshës së pretenduar nga prindi dhe i cakton prindit, sipas rrethanave, një afat për paraqitjen e certifikatës;
- nuk disponon vërtetimin e vaksinimeve, drejtori i shkollës i kërkon prindit t’i drejtohet qendrës shëndetësore përkatëse dhe, pas marrjes së vërtetimit, e regjistron fëmijën.
Ju sjellim në vëmendje përfitimin e:
- Transport falas për nxënësit që ndjekin arsimin bazë ose kopshtin dhe që jetojnë në distancë mbi 2 km larg nga shkolla (Pika 1.b, Vendimit “Për përdorimin e fondeve publike për transportimin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”).
- Tekste falas për fëmijët: viktimave të trafikimit, të ndodhur në paraburgim/vuajtje dënimi, të shtruar në Shërbimin Onkologjik, të policëve të rënë në detyrë, Rom dhe egjiptianë dhe përfitues në institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike.
(pika 6.9 e Vendimit nr. 707, datë 26.8.2015 “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar”, të ndryshuar”)
Në pritje të 1 Qershorit 2017…. #UneMbrojfemijet#InvestojmePerFemijet
Çmimi “Punonjësi i vitit për mbrojtjen e fëmijëve” dhe
“Organizata e vitit për Mbrojtjen e fëmijëve”
Ky çmim ka si qëllim të vlerësojë kontributin e jashtëzakonshëm që individë apo organizata japin për fëmijët, në mënyrë që ata të jetojnë të mbrojtur nga cdo formë e dhunës – duke promovuar shëmbuj pozitivë dhe frymëzues.
Çmimi do të jepet çdo vit më 1 Qershor, duke shënuar kështu fillimin e një tradite vjetore.
Kriteret për Çmimin “PROFESIONISTI i VITIT PËR MBROJTJEN E FËMIJËS”
1. Të jetë punonjës i njësisë së mbrojtjes së fëmijëve dhe të ketë me shumë se 5 vite eksperience pune.
2. Të ketë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, abuzimi, neglizhimi apo shfrytezimi duke sjellë ndryshime në jetën e femijëve dhe familjeve.
3. Të ketë menaxhuar një numër të konsiderueshëm rastesh, duke zbatuar në mënyrë cilësore procedurat e menaxhimit të rastit.
4. Të jetë aktiv dhe të ketë bashkëpunuar me aktorë të sektorëve të ndryshëm publik, privat, donatorë, OJF dhe komunitetin për ndërgjegjësimin e publikut përsa i përket çështjeve të mbrojtje së fëmijëve.
Kriteret për Çmimin “OJF E VITIT PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE” (organizatë jo-fitimprurëse)
1. Të jetë OJF e regjistruar në Republikën e Shqipërisë prej më shumë se 5 vitesh.
2. Të ketë në fokus të punës të drejtat e fëmijëve dhe të jetë shquar në punën për mbrojtje të fëmijëve nga abuzimi, shfrytëzimi, dhuna, apo neglizhimi.
3. Të ketë ofruar mbështetje për komunitetin dhe të ketë kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve publike dhe/ose ofruesve të shërbimeve për fëmijë.
Çmimi do të jetë pjesëmarrje në një trajnim në nivel ndërkombëtar i ofruar nga Childhub.org .
Kandidaturat mund të propozohen në adresën elona.halilosmani@femijet.
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Olta Xhacka
UNICEF Albania
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve / Observatory for Children’s Rights
Terre des hommes Albania
Diskutime dhe debate mbi realitetin shqiptar të martesave nën moshë dhe domosdoshmëria për ndërhyrje…”
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në partneritet me Fondin Kanadez për Nismat Vendore organizuan konferencën mbi realitetin shqiptar të martesave nën moshë duke theksuar domosdoshmërinë për ndërhyrje. Problemet dhe vështirësitë që mbart një vajzë– grua dhe një familje (e krijuar nga ajo), ishin pjesë e çdo deklarate të mbajtur nga përfaqësues të lartë të Ministrive, ashtu dhe nga çdo panelist dhe pjesëmarrës në këtë konferencë.
Studime që trajtojnë këtë problem shoqërorë të vajzave dhe grave dhe nisma për ndërgjegjësim për parandalim të martesave nën moshë në nivel vendor dhe kombëtar, mund të konsiderohet risi dhe progres në vende si Shqipëria, në të cilën ky fenomen i ka rrënjët e shtrira thellë në histori dhe të ushqyera rishtazi nga faktorë socialë mjaft dinamikë. Nga kërkime rajonale dhe globale, një fokus i veçantë i vihet pasojave të martesës nën moshë të lidhura me: mirëqenien fizike dhe emocionale, të drejtën për edukim dhe zhvillim (personal, profesional dhe ekonomik) dhe trajtimi i tyre në këtë studim paraqet një rëndësi të veçantë për kontekstin shqiptar.
Në kuadrin e KDF[1] dhe CEDAW[2] Shqipërisë i është kërkuar, të marrë në konsideratë çështjen e martesave të hershme dhe të raportojë mbi të. Ndërthurja dhe intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta mbi martesat e hershme në kontekstin shqiptar është nje nevojë imediate.
Nga diskutimet dhe debatet e realizuara Ministritë shprehën gadishmërinë e bashkëpunimit të ardhshëm për të minimizuar martesat nën moshë nëpërmjet:
- Rolit më të madh të NjMF-ve dhe NJDF-ve në ndjekjen e rasteve;
- Mbështetje të vajzave-nëna me programe të veçanta sociale;
- Punë individuale me vajzat-nëna;
- Krijimi i lehtësirave në aspektin ligjor;
- Realizimin e një studimi kombëtar duke përfshirë edhe zona në veri të Shqipërisë;
- Ofrimi i disa shërbimeve të veçanta për të rinjtë;
- Fenomeni i martesave të hershme dhe pasojat që sjell duhet trajtuar si një çështje e karakterit ndërsektorial.
Aspektet e shumta të martesës nën moshë si në drejtim të reduktimit të shfaqjes dhe në drejtim të adresimit të pasojave përbën një proces dhënie- dhe- marrjeje mes aktorëve të ndryshëm, duke përfshirë Qeverinë e Shqipërisë dhe institucionet vartëse, pushtetit vendor si zbatues dhe mbështetës të politikave, të komunitetit të donatorëve të interesuar në çështjet që lidhen me martesat nën moshë, mediave, komunitetit në nivel lokal, si dhe të shoqërisë civile.
Ne jemi të bindur dhe të frymëzuar që bashkëpunimi efektiv ndërmjet aktorëve të sipërpërmendur do të ofrojë një mjedisi shoqëror në të cilin vajzat janë fuqizuar që të kenë një zë më të fortë dhe për të marrë drejtimin e jetës së tyre – “për të shijuar vajzërinë përpara të qenit nuse!”
Ekipi i punës
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve
[1]Konventa për të Drejtat e Fëmijës
[2]Konventa për Eleminimin e të gjithë formave të Diskriminimit ndaj Gruas
Workshop dhe Debate Çdo fëmijë në shkollë
Tiranë, 27 janar 2016
Workshop dhe Debate
Çdo fëmijë në shkollë- Faza II
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, Ministria e Arsimit dhe Sportit në partneritet me UNICEF- Shqipëri kanë realizuar Workshopin në kuadër të zbatimit të nismës “Çdo fëmijë në shkollë”.
Nisma “Çdo fëmijë në Shkollë” po realizohet nën vëmendjen e MAS, në partneritet me UNICEF dhe po zbatohet nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve. Kjo nismë ka filluar në vitin 2013 dhe ndiqet nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve nga viti 2014 e në vazhdim, me synim identifikimin dhe rregjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve në moshë të detyrimit shkollor si edhe parandalimin e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve që janë në rrezik braktisjeje. Nisma synon ngritjen e mekanizmave të mjaftueshme që çdo fëmijë i moshës së detyrimit shkollor të ndjekë shkollën 9-vjeçare.
Ky Workshop ka mbledhur bashkë drejtues dhe përfaqësues të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore, specialistë të MAS, si dhe ekspertë për mbledhjen e të dhenave për rregjistrimin dhe mbajtjen e evidencave për rregjistrimin e fëmijëve në shkollë në të gjithë Shqipërinë.