Debat mbi zbatimin e Urdhrit Treministror “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor”
__________________________________________
“Fëmijët nuk e braktisin shkollën kur janë 16 vjeç, por e neglizhojnë atë që në klasë të parë dhe më pas presim 10 vjet për ta zyrtarizuar këtë braktisje”
(Bob Keeshan)
_______________________________________________
(Rasti i S.G. i tejkalon ekstremet, dhimbjen dhe varfërinë. Familja e përbërë nga 11 anëtarë jeton në kushte të mjerueshme në Durrës. S.G. pohon se të gjithë fëmijët pa përjashtim duan të shkojnë në shkollë, por arsyeja që e kanë braktisur atë është gjendja e vështirë ekonomike, si dhe fëmijët më të mëdhenj janë detyruar të kujdesen për më të vegjlit ndërkohë që prindërit merren me punë të ndryshme për të siguruar jetesën.
Aktualisht në shkollën Hasan Koçi në Shkozet (e cila është një nga 10 shkollat pilot të nismës “Çdo fëmijë në shkollë” në partneritet me UNICEF dhe zbatimin e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve), 2 nga vajzat e kësaj familje frekuentojnë klasën e dytë pas një pune të palodhshme nga drejtoria e shkollës. Me vëmendjen e UNICEF dhe Observatorit rasti është referuar dhe ndjekur në institucionet lokale të Durrësit. Pas pjesëmarrjes së stafit të shkollës në trajnime, workshope e aktivitete të nismës “Çdo fëmijë në shkollë” për parandalimin e braktisjes së shkollës, aktualisht vajzat frekuentojnë rregullisht shkollën duke shfaqur një interes dhe dëshirë të madhe. S.G. shprehet se kanë qenë mësuesit ata që shpesh here i kanë ushqyer në pamundësi për t’u kujdesur ajo.)
Filloi shkolla dhe të gjithë fëmijët duan ta ndjekin atë! Megjithatë pamundësia ekonomike, padituria e familjarëve, mungesa e ndjeshmërisë së investimit drejt një rruge që siguron të ardhmen janë disa prej faktorëve pengues në këtë rrugëtim. Për të plotësuar boshllëqet e krijuara ndër vite, shteti garanton arsimimin për çdo fëmijë. Në këtë kontekst, familjet duhet të jenë të ndjeshme për regjistrimin dhe frekuentimin e shkollës nga fëmijët e tyre që në ciklin “gjenezë” – në parashkollor.
Shkolla nuk është vetëm mekanizmi edukues, por edhe ndërlidhës e koordinues që bën të mundur regjistrimin e fëmijëve në shkollë dhe ndjekjen e saj në vazhdimësi. Mësuesit janë misionarët, të cilët, me vizionin dhe frymën e tyre, rrënjosin edukimin e nxënësve ndër breza. Në ndihmë të këtij misioni, aktorë shumë të rëndësishëm janë edhe bashkia / njësitë administrative, policia, qendrat shëndetësore etj.
Modeli i punës që harmonizon komunikimin e gjithë aktorëve në nivel vendor ndaj kauzës së regjistrimit në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor, është nisma “Çdo fëmijë në shkollë”. Kjo nismë, e pilotuar në Qarkun e Durrësit, realizohet në partneritet me UNICEF së bashku me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve, me vëmendjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe me mbështetjen e gjithë strukturave vendore. Qëllimi është identifikimi dhe regjistrimi në shkollë i të gjithë fëmijëve, pavarësisht faktit nëse kanë lindur ose jo në atë zonë, duke krijuar një mjedis të favorshëm jetese.
Në 5 janar 2015 u nënshkrua Urdhri i përbashkët i tri ministrive (U3M – MAS, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh)) “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor”, me qëllim koordinimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të mundësuar ndjekjen e shkollës nga çdo fëmijë rezidentë. Botimi i U3M në Fletoren Zyrtare gjendet në:
http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/202-2015.pdf
Në këtë kuadër, janë ndërmarrë një sërë hapash të rëndësishëm në drejtim të arsimimit të fëmijëve, si:
- Ngritja e praktikës së punës për manualin e roleve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e U3M.
- Praktika e trajnimeve ndërsektoriale ndërmjet stafeve të institucioneve shkollore dhe institucioneve vendore të cilat ngarkohen me përgjegjësi dhe role nga nënshkrimi i U3M.
- Guidat dhe udhëzimet për mentorimin e praktikave më të mira të shkollave për reduktimin e braktisjes shkollore dhe integrimin në shkollë të fëmijëve jashtë shkolle.
- Praktika e trajnimeve të aktorëve brenda institucioneve arsimore të arsimit bazë për sigurimin e frekuentimit të rregullt dhe përfundimit të arsimit bazë nga çdo fëmijë.
- Praktika e punës për nxjerrjen e të dhënave nga tregues ndërkombëtarë të sistemit arsimor.
- Praktika e kryqëzimit të listave nga burime të ndryshme me qëllim evidentimin e fëmijëve jashtë shkolle.
- Praktika e bashkëpunimit ndërinstitucional për intensifikimin e punës në drejtim të çështjes së fëmijëve jashtë shkolle.
Thirrja për arsimimin e fëmijëve u drejtohet të gjithëve: Arsimimi i çdo fëmije është një mision i përditshëm, realizimi i të cilit kërkon angazhimin dhe vëmendjen në kohë dhe efikasitetin e të gjithëve!