25 Shtator 2015

Plani i Veprimit për Fëmijë 2012 – 2015, është një dokument i fokusuar tek bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm qeveritarë, donatorëve, shoqërisë civile dhe komunitetit, për marrjen e vendimeve të orientuara drejt respektimit të të drejtave të fëmijëve. Ky plan është i fokusuar në 5 shtylla kryesore të të drejtave të fëmijëve:
– E drejta për mbrojtje dhe përfshirje sociale;
– E drejta e fëmijëve për mbrojtje nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi ekonomik;
– E drejta për zhvillim dhe arsim;
– E drejta për kujdes shëndetësor;
– E drejta për mbrojtje ligjore.

MONITORIM I ZBATIMIT TË PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR FËMIJË 2012 – 2015
Në lidhje me zbatimin e Planit Kombëtar rë Veprimit për Fëmijë 2012-2015, Observatori për të Drejtave e Fëmijëve ka monitoruar aspektet e mëposhtme:
a) Roli i njësive të qeverisjes vendore në vlerësimin e nevojave të fëmijëve në raport me realizimin e të drejtave të tyre në zbutjen e varfërisë.
b) Relacionet situative dhe raportet vjetore të analizës së situatës së të drejtave të fëmijëve të hartuara për njësitë e qeverisjes vendore.
c) Programet specifike të Njësive administrative të fokusuara në realizimin e të drejtave të fëmijëve, duke specifikuar dhe arritjet përkatëse.
d) Buxhetet për zbatimin e programeve për të drejtat e fëmijëve nga njësitë vendore.
e) Politikat dhe masat e posaçme për forcimin e komunikimit dhe transparencës së pushtetit vendor me fëmijët dhe grupet e interesit, që zbatohen në nivel rajonal.

a.Roli i njësive të qeverisjes vendore në vlerësimin e nevojave të fëmijëve në raport me realizimin e të drejtave të tyre në zbutjen e varfërisë
Një ndër objektivat strategjikë më të rëndësishëm në kompetencat e reja te njësive të qeverisjes vendore lidhet me vlerësimin e nevojave të fëmijëve, që janë në territorin administrativ.
– Në Qarkun Kukës, Shkodër dhe Tiranë nuk ka informacion në lidhje me raportet dhe vlerësimet për nevojat e fëmijëve në përputhje me shkallën e realizimit të të drejtave të tyre, nga njësitë e qeverisjes vendore. Për qarkun Tiranë është hartuar një Strategji Rajonale për periudhën kohore 2013-2016, e cila nuk është e mbështetur me buxhet dhe për rrjedhojë nuk është zbatuar. Qarku Shkodër ka hartuar një Strategji rajonale për fëmijët dhe Planin e Veprimit për periudhën e mëparshme 2011-2013. Në qarkun Fier është draftuar një Strategji rajonale për fëmijët dhe plan veprimi rajonal për periudhën 2013- 2015, i cili nuk është publikuar. Për rrjedhojë ky plan veprimi rajonal nuk është zbatuar.
– Në Qarkun Elbasan, Këshilli i qarkut harton raportime periodike dhe analiza situative në lidhje me nevojat dhe problematikat që hasin fëmijët. Këto raporte janë ndarë edhe me aktorët e tjerë lokalë në takime dhe konferenca lokale, si edhe opinionit publik nëpërmjet medias.
– Në Qarkun Korçë, Bashkia e Korçës në bashkëpunim me UNDP ka hartuar planin e veprimit për komunitetet Rome dhe Egjyptiane, i cili do të miratohet së shpejti në këshillin Bashkiak.

b. Relacionet situative dhe raportet vjetore të analizës së situatës së të drejtave të fëmijëve të hartuara për njësitë e qeverisjes vendore
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve ka hartuar relacione situative mbi monitorimin e zbatimit të të drejtave të fëmijëve sipas sektorëve të ndryshëm, të cilat janë shpërndarë me aktorët lokalë. Këto Relacione kanë përfshirë periudhën 2010- 2014 dhe kanë informacione për të gjitha njësitë vendore që i janë shtuar 61 Bashkive të vendit, sipas reformës territoriale .
– Në qarkun Shkodër, këto relacione situative janë vlerësuar nga njësitë administrative si një mekanizëm udhëzues në hartimin e politikave më favorizuese për fëmijët.
– Në Qarkun Tiranë, Kukës dhe Korçë, reagimi i njësive vendore është lidhur me falenderimin përkundrejt këtyre informacioneve ne nivel lokal.
– Në qarkun Elbasan dhe Fier, relacionet e dërguara janë bërë pjesë referuese si dokumentacion dhe analizë e njësive të caktuara pranë qeverisjes vendore që merren me problematikat e fëmijëve.

c. Programet specifike të Njësive administrative të fokusuara në realizimin e të drejtave të fëmijëve, duke specifikuar dhe arritjet përkatëse
Njësitë administrative, në kuadër edhe të reformës territoriale, kanë një rritje të rolit dhe kompetencave të tyre, duke mbuluar në këtë mënyrë një territor më të madh. Një dukuri e tillë duhet të shoqërohet edhe me programe specifike, që duhet të mbulojnë një numër më të lartë nevojash.
– Në qarkun Shkodër, Kukës dhe Fier, nuk ka informacion në lidhje me programet specifike të fokusuara në realizimin e të drejtave të fëmijëve. Janë zhvillur takime të aktorëve të ndryshëm që kanë përfshirë edhe fëmijët.
– Në qarkun Elbasan, ka patur disa programe në disa njësi administrative të qarkut si: Elbasan, Librazhd, Cerrik, të mbështetura nga partnerë të huaj dhe ku njësitë vendore kanë qenë partnerë në realizimin e tyre.
– Në Korçë janë zhvilluar disa aktivitete nga Bashkia Korçë dhe Pogradec, të cilat kanë synuar promovimin e të drejtave të fëmijëve.

d. Buxhetet për zbatimin e programeve për të drejtat e fëmijëve nga njësitë vendore
Programet specifike të njësive vendore të fokusuara tek të drejtat e fëmijëve, duhet të shoqërohen me buxhetet përkatëse në mënyrë që të gjejnë zbatim.
– Në qarkun Shkodër nuk ka buxhete të specifikuara që shkojnë drejtë për së drejti në programe për të drejtat e fëmijëve, por NJMF-të në njësitë vendore janë mbështetur në trajtimin e rasteve të fëmijëve, si përfshirja në skema ekonomike, aftësia e kufizuar dhe shërbime të tjera.
– Në qarkun Tiranë, njësitë vendore nuk kanë mundësi financiare për mbulimin e programeve të të drejtave të fëmijëve dhe nuk kanë buxhet të ndarë për fëmijët. NjMF-të nuk janë të mbështetura me buxhet dhe për menaxhimet e rasteve ato kanë kërkuar ndihmën e OJF-ve që veprojnë në territorin e njësisë administrative. Përjashtim bën bashkia Tiranë, e cila është shembull i decentralizimit financiar, duke ofruar shërbime në 4 qendra komunitare të tipit multidisiplinar, në të cilat përfitojnë edhe fëmijët. Këto qëndra krahas shërbimeve sociale ofrojnë edhe programe edukuese për fëmijët si dhe në njërën prej tyre- qëndra “Multidisiplinare”, funksionon një qendër ditore për fëmijët e moshës parashkollore që i përgatit ata për shkollë. Përveç kësaj kjo bashki në funksion të gjithpërfshirjes në arsim ka nxjerrë kritere lehtësuese për vendosjen e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte pa pagesë. Nga këto kritere përfitojnë fëmijët e familjeve me ndihmë ekonomike, fëmijët jetim, fëmijët Rom, fëmijët e grave kryefamiljare dhe vajzave nëna si dhe ata që vijnë nga familje ku kryefamiljari është me aftësi ndryshe. Ofrimi i bursave shkollore për nxënësit me rezultate të mira dhe që vijnë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike është një mundësi që u jepet nga kjo bashki fëmijëve me të ardhurat të pakta për të ndjekur arsimin. Një model të ofrimit të bursave shkollore ndjek edhe bashkia Kavajë. Në fushën e investimeve bashkia Tiranë për këtë vit ka vënë prioritet rikonstruksionin e një sërë çerdheve dhe kopshteve brenda territorit të saj.
– Në qarkun Kukës dhe Fier njësitë vendore nuk kanë buxhet të ndarë në veçanti për fëmijët, por janë të planifikuara shpenzimet që shkojnë për fëmijët me aftësi të kufizuara apo me problematika të ndryshme.
– Në qarkun Korçë, në saj të aktiviteteve të përbashkëta edhe me aktorët e tjerë loakle, ka patur buxhete shoqëruese për programet e fokusuara tek të drejtat e fëmijëve. Një veprim i ndërmarë nga Bashkia Korçë është ‘’Buxhetimi me pjesëmarrje’’ i cili për të pestin vit radhazi realizohet në çdo lagje të qytetit.

e. Politikat dhe masat e posaçme për forcimin e komunikimit dhe transparencës së pushtetit vendor me fëmijët dhe grupet e interesit, që zbatohen në nivel rajonal
– Në qarkun Tiranë, në minibashkinë nr.1 janë realizuar takime me komunitetin e kësaj njësie- prindër dhe fëmijë për çështje të arsimit në bashkëpunim dhe me disa shkolla brenda territorit të kësaj njësie. Takime të tilla në këtë njësi janë parashikuar të bëhen në çdo vit shkollor.
– Në qarkun Kukës gjatë muajit shtator 2015, MAS ka realizuar takime me grupe të interesit për lançimin e planit të veprimit për arsimin 2015-2020.
– Në qarkun Elbasan, Bashkia Elbasan ka qenë disa herë në takime me të rinj dhe nxënës të shkollave 9- vjeçare e të mesme të qytetit ku është diskutuar për problematikat e arsimit. Megjithatë këto takime kanë qenë të iniciuara nga aktorë të shoqërise civile, qeveritë e nxënësve. Diskutimet janë fokusuar më shumë tek detyrimet dhe angazhimet e Bashkisë për shkollat dhe nxënësit si psh: kujdesi për lyerjen dhe rregullimin, vendosja e kamerave për sigurinë e fëmiijëve, etj.
– Në qarkun Fier, takimet mbi angazhimet që do të ndërmerren dhe politikat arsimore për fëmijët janë zhvilluar të iniciuara nga Drejtoria Arsimore Rajonale Fier, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile.