Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë
Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë bëhet në përputhje me nenin 13 të Kreut IV “Arsimi bazë” i Dispozitave Normative për sistemin arsimor parauniversitar, 2013.
Procedurat e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë
- Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë të arsimit bazë për vitin e ri shkollor bëhet në dy javët e fundit të muajit qershor.
- Në gjashtë ditët e para kanë të drejtë të regjistrohen në klasën e parë të një shkolle publike vetëm nxënësit që i përkasin zonës së shkollës. Kur largësia e banesës së fëmijës nga dy shkolla publike është e diskutueshme, prindi zgjedh njërën nga dy shkollat.
- Në katër ditët pasuese kanë të drejtë të regjistrohen edhe nxënës që u përkasin shkollave të zonave të tjera. Regjistrime të veçanta pranohen deri ditët e para të fillimit të vitit shkollor në muajin Shtator.
- Çdo institucion arsimor duhet të zbatojë listën emërore të fëmijëve të dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në vijim të zbatimit të Urdhrit të përbashkët nr. 2, datë 05.01.2015 “Për miratimin e rregullores për zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit, datë 02.08.2013 “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor””.
- Regjistrimi i fëmijës në klasën e parë bëhet me këto dokumente:
- Certifikata e lindjes e fëmijës.
- Vërtetimi i vaksinimeve nga qendra shëndetësore.
- Raporti nga okulisti.
- Adresa e fëmijës.
- Vërtetimi i ndjekjes së kopshtit sipas grupeve, i firmosur nga drejtori i kopshtit (nëse ka).
- Në raste të veçanta, kur prindi dëshiron të regjistrojë fëmijën në klasë e parë, por:
- nuk disponon certifikatën e lindjes, drejtori i shkollës lejon që fëmija të ndjekë shkollën, sipas moshës së pretenduar nga prindi dhe i cakton prindit, sipas rrethanave, një afat për paraqitjen e certifikatës;
- nuk disponon vërtetimin e vaksinimeve, drejtori i shkollës i kërkon prindit t’i drejtohet qendrës shëndetësore përkatëse dhe, pas marrjes së vërtetimit, e regjistron fëmijën.
Ju sjellim në vëmendje përfitimin e:
- Transport falas për nxënësit që ndjekin arsimin bazë ose kopshtin dhe që jetojnë në distancë mbi 2 km larg nga shkolla (Pika 1.b, Vendimit “Për përdorimin e fondeve publike për transportimin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”).
- Tekste falas për fëmijët: viktimave të trafikimit, të ndodhur në paraburgim/vuajtje dënimi, të shtruar në Shërbimin Onkologjik, të policëve të rënë në detyrë, Rom dhe egjiptianë dhe përfitues në institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike.
(pika 6.9 e Vendimit nr. 707, datë 26.8.2015 “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar”, të ndryshuar”)