Trajnime dhe debate me përfaqësues të shkollave pilot- Maj 2016
Nisma “Çdo fëmijë në Shkollë” po realizohet nën vëmendjen e MAS, falë mbështetjes së UNICEF dhe po zbatohet nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve. Kjo nismë ka filluar në vitin 2013 dhe ndiqet nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve nga viti 2014 e në vazhdim, me synim identifikimin dhe rregjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve në moshë të detyrimit shkollor si edhe parandalimin e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve që janë në rrezik braktisjeje. Nisma synon ngritjen e mekanizmave të mjaftueshme që çdo fëmijë i moshës së detyrimit shkollor të ndjekë shkollën 9-vjeçare.
Në kuadër të zbatimit të nismës, përgjatë 13, 14, 27 dhe 28 maj 2016 u zhvilluan trajnime (2 ditore) me 51 përfaqësues të shkollave pilot (drejtues, mësues dhe psikolog) në lidhje me qëllim ndërgjegjësimin dhe ndihmën e çdo institucioni arsimor dhe çdo pjesëtar komuniteti në sigurimin e regjistrimit të të gjithë fëmijëve në moshë shkollore në shkollë, të ndjekjes, të frekuentimit të rregullt, të gjithëpërfshirjes dhe të përfundimit të arsimit të detyruar.
Disa nga arritjet e debateve dhe trajnimeve të realizuara janë si më poshtë:
- Informimi i stafeve pedagogjik, i stafit drejtues dhe i pjesëtarëve të komuniteteve shkollore për rolet dhe përgjegjësitë e tyre në evidentimin e rasteve të fëmijëve që nuk janë regjistruar ende në shkollë, të fëmijëve që nuk e frekuentojnë në mënyrë të rregullt mësimin dhe të parandalimit të rasteve që rrezikojnë braktisjen shkollore.
- Ofrimi i strategjive të mbështetjes pedagogjike dhe emocionale nxënësve me tendencë për braktisjen e shkollës.
- Prezantimi i mekanizmit për të identifikuar fëmijët që priren ta braktisin shkollën dhe gjetja e rrugëve efektive të përfshirjes së tyre sociale në jetën dhe veprimtarinë e shkollës.
- Fuqizimi i marrëdhënieve familje-shkollë- komunitet dhe funksionimi i organizmave të ngritur brenda shkollës.
Debatet dhe trajnimet u lehtësuan nga znj. Aurela Zisi, IZHA. Gjatë trajnimit u shpjegua moduli i hartuar në kuadër të zbatimit të nismës “Sigurimi i frekuentimit dhe i mbarimit të arsimit bazë nga çdo fëmijë”.