Të rinjtë dhe Rruga Drejt Vitit 2030
12 August 2016
Deklaratë e Drejtorit Ekzekutiv të UNFPA, Dr. Babatunde Osotimehin, për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

Dr. Babatunde Osotimehin
UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, kremton Ditën Ndërkombëtare të Rinisë duke riafirmuar dhe duke njohur rolin qendror të të rinjve në promovimin e mirëqenies së familjeve, komuniteteve dhe kombeve të tyre. Tema e këtij viti, “Rruga drejt vitit 2030: zhdukja e varfërisë dhe arritja e prodhimit dhe konsumit të qëndrueshëm,” nuk mund të ishte më relevante dhe në kohën e duhur.
Më shumë se 500 milionë të rinj në mbarë botën jetojnë në varfëri dhe shpesh nuk mund të përballojnë nevojat e tyre themelore. Ata nuk kanë akses në burimet jetike dhe përfaqësohen në mënyrë disproporcionale në mes të të varfërve. Ata kanë shumë për të fituar, nëse ne kemi sukses në zhdukjen e varfërisë dhe, do të kenë shumë për të humbur, në qoftë se ne dështojmë. Lajmi i mirë është se të rinjtë nuk janë problemi, siç mendohet shpesh, por, në fakt, ata janë zgjidhja.
Vitin e kaluar, Kombet e Bashkuara miratuan Axhendën 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, i cili na kërkon të balancojmë nevojat e brezave të sotëm dhe të ardhshëm, të krijojmë rritje ekonomike pa shkatërruar burimet natyrore dhe të reduktojmë konsumin, duke forcuar mirëqenien dhe dinjitetin.
Për të arritur këto objektiva, është i nevojshëm një ndryshim themelor. Duhet të marrim vendime për shpërndarjen e burimeve, duke mbajtur parasysh interesat e brezave të ardhshëm. Duhet të bëjmë investime në sektorët socialë, që përmirësojnë aftësinë rigjeneruese të individëve dhe komuniteteve. Dhe duhet të vendosim respektimin e të drejtave të njeriut në qendër të zhvillimit.
Globalisht, grupet e mëdha të të rinjve përfaqësojnë një mundësi historike për të sjellë progres dhe zgjidhje të reja inovatore për të nisur këtë ndryshim. Thelbësore për këtë është realizimi i të drejtave të të rinjve për të marrë pjesë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të komuniteteve dhe vendeve të tyre dhe për të qenë të lirë të bëjnë zgjedhje të informuara në lidhje me trupin, seksualitetin dhe riprodhimin e vet pa diskriminim, dhunë apo detyrim.
Të fuqizosh të rinjtë do të thotë t’u japësh atyre mjetet për t’u bërë aktorë edhe më me influence dhe produktivë në shoqëritë e tyre. Për të arritur këtë, vendet duhet t’u japin fund të gjitha formave të diskriminimit me të cilat përballen të rinjtë sot, sidomos vajzat adoleshente, të tilla si martesat e detyruara martesat në moshë shumë të hershme apo dhuna seksuale, të cila mund të rezultojnë në shtatzëni të paplanifikuara, aborte të pasigurta apo infektim me HIV dhe vënë në rrezik rrjedhën e të ardhmes së tyre.
Në qendër të këtyre përpjekjeve duhet të jetë nxitja e aksesit në arsim dhe shërbime shëndetësore, përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues dhe planifikimin familjar. Këto ndërhyrje të kombinuara janë kritike për të thyer ciklin e varfërisë ndër breza, për të forcuar qëndrueshmërinë e popullsive përballë të gjitha sfidave dhe për të shfrytëzuar mundësitë e një ekonomie të re.
Të rinjtë po drejtojnë tashmë risitë në shkencë dhe teknologji, duke bërë zgjedhje të vetëdijshme që po ndikojnë në mënyrë drastike modelet e konsumit dhe të prodhimit dhe po mobilizohen për t’i bërë kompanitë, organizatat dhe qeveritë më të përgjegjshme nga ana sociale dhe mjedisore. Aty ku të rinjtë gjejnë informacion, teknologji, financim, mentorim dhe platforma për bashkëpunim, këta inovatorë të rinj janë në gjendje t’i kthejnë idetë e tyre në zgjidhje transformuese.
UNFPA është krenare që është bërë partnere me të rinjtë në më shumë se 150 vende dhe territore në mbarë botën për të promovuar pjesëmarrjen dhe udhëheqjen e tyre, duke u lejuar atyre të kapërcejnë pengesat, të sjellin risi dhe të realizojnë potencialin e tyre të plotë.
UNFPA u bën thirrje qeverive, partnerëve për zhvillim dhe personave të tjerë me influencë të miratojnë politika që nxisin zhvillimin e të rinjve dhe respektimin e të drejtave të tyre dhe të masin progresin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, që lidhen me adoleshentët dhe të rinjtë. Të rinjtë duhet të angazhohen si partnerë në arritjen e këtyre objektivave, sepse ata janë brezi që do ta trashëgojnë planetin tonë.
Një vajzë adoleshente, e cila sot është 10 vjeç, do të jetë një e re 24 vjeç në vitin 2030, viti i synuar për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ne duhet të sigurojmë që rruga e saj përmes adoleshencës dhe rinisë ta çojë drejt një të ardhme të ndritshme për veten e saj, komunitetin dhe botën – një e ardhme e shtruar me të drejta të respektuara, mundësi të realizuara dhe premtime të mbajtura.
***