Observatori Fier – 22 Gusht 2013

Fier më, 22 Gusht 2013

Informacion mbi takimin e realizuar në Fier në kuadër të projektit “Forcimi i Shërbimeve të Mirëqenies Sociale të Fëmijëve në nivel rajonal, në përgjigje të implementimit të politikës të mospërjashtimit social të fëmijëve – RIDE”

 

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve -Fier në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve të Përkujdesjes Shoqërore Fier dhe me mbështetjen e përfaqësisë së UNICEF-it në Shqipëri. , më datë 22 Gusht 2013 në ambientet e sallës së Prefekturës Fier organizoi takimin e parë me grupin e punës në kuadër të zbatimit të projektit: “Forcimi i Shërbimeve të Mirëqenies Sociale të Fëmijëve në nivel rajonal, në përgjigje të implementimit të politikës të mospërjashtimit social të fëmijëve”.

 

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale (Drejtoria e Shërbimeve të Përkujdesjes Shoqërore- Këshilli i Qarkut Fier, Prefektura Fier, Shërbimi Social Shtetëror zyra rajonale Fier, Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Fier, Drejtoria Rajonale e Policisë së Qarkut Fier), përfaqësues nga OJF lokale , punonjës të njësisë për të drejtat e fëmijëve në komunë dhe administratorë sociale.

Takimi u realizua sipas programit ku u prezantuan pjesëmarrësit dhe fjala përshëndetëse iu dha Drejtorit të Shërbimeve të Përkujdesjes Shoqërore- Këshilli i Qarkut Fier, Z. Astrit Hysi, i cili garantoi mbështetjen e tij të vazhdueshme në realizimin e suksesshëm të ketij projekti.

Më pas fjalën e mori Znj. Arlinda Ymeraj, Përgjegjëse e Politikave Sociale në zyrën Rajonale të UNICEF-it në Shqipëri, si një mbështetëse e kësaj nisme pozitive për përmirësimin e politikave sociale të fëmijëve.

Znj.Elma Tërshana me cilësinë e drejtueses së projektit bëri një prezantim të Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve dhe  të projektit “Forcimi i Shërbimeve të Mirëqenies Sociale të Fëmijëve në nivel rajonal, në përgjigje të implementimit të politikës së mospërjashtimit social të fëmijëve”. Ky projekt synon ndër të tjera që të identifikojë ato raste të abuzimit të fëmijëve, të cilët sistemi përkatës i mbrojtjes nuk i identifikon dot. Nëse flasim për fëmijët që jetojnë në familje të varfra me NE, pjesë e varfërisë janë dhe ato familje që nuk u është pranuar kërkesa për NE apo dhe ato familje që për shkak të procedurave nuk arrijnë të aplikojnë për NE. Gjithashtu pjesëmarrësit morën informacion mbi shtrirjen territoriale të këtij projekti edhe në qarqet Shkodër e Kukës.

Nga të pranishmit pati pyetje dhe diskutime për situatën e të drejtave të fëmijëve në Qarkun Fier.

Disa nga konkluzionet e këtij takimi ishin;

– Zyra e projektit RIDE do të mundësojë koordinimin dhe harmonizimin e të gjithë strukturave të mirëqënies sociale në nivel rajonal dhe lokal, për të siguruar se asnjë fëmijë nuk përjashtohet nga gëzimi i të drejtave të tyre. Një gjë e tillë do të realizohet nëpërmjet rrjetëzimit të sfidave/ vështirësive, arritjeve dhe kapaciteteve ekzistuese. Kjo iniciativë e re do të ndihmojë në ofrimin e shërbimeve të integruara për fëmijët (jo vetëm përfitime nga skema e ndihmës ekonomike, por edhe nga fushat e tjera të mirëqenies sociale).

– Nxitja e njësive vendore për të aplikuar për projekte në mënyrë që të përfitojnë nga Fondet e pakufizuara. Në këtë mënyrë njësitë vendore duhet që të planifikojnë nevojat thelbësore që kanë nevojë për zgjidhje imediate.

– Sugjerim për politikat sociale; krijimi i një buxheti të përgjithshëm të mirëqënies sociale, (jo ndarja e tij në aspekte specifike: për romët, gratë e veja etj), në mënyrë që të shmanget diskriminimi në përftitimin e shërbimeve.

– Një rast pozitiv i cili u identifikua gjatë këtij takimi ishte rasti i Znj.Suela Spaho, mjeke familje në Drejtorinë Rajonale të Shëndetësisë, e cila prej 4 vjetësh është koordinatore e PEACE Corps, duke ofruar shërbime për fëmijët në komunat dhe fshatrat që kanë një përqëndrim më të lartë të fëmijëve të komunitetit romë (Levan, Baltëz, Drizë).

– Në Komunën Qendër Fier janë 7 raste të fëmijëve deri në moshën 2-3 muajsh, të cilët nuk janë të regjistruar në zyrën e gjendjes civile. Përpjekjet për zgjidhjen e këtyre rasteve kanë konsistuar në kontaktimin me Shërbimin Ligjor falas në Tiranë. Ndërkohë familjet nuk kanë mundësi ekonomike për kryerjen e gjyqit (për të përfituar njohjen e atësisë). Për këto raste duhet asistuar nëpërmjet ndërhyrjes së gjykatës, gjendjes civile, mjekëve të familjes. Për këto 7 raste njësugjerim për fillimin e punës së zyrës së projektit RIDE, është kontaktimi i përfaqësuesit të kësaj komune me përfaqësues të zyrës së gjendjes civile në Këshillin e Qarkut Fier. Ndërsa sugjerimi i kësaj Komune është forcimi i bashkëpunimit me Këshillin e Qarkut Fier në mënyrë që të përfitojnë fëmijët e komuniteteve Rome.

– Rastet e sjella nga kryetari i Shoqatës së Fëmijëve Jetim lidhen me rritjen e përmasës së krimit në familje. Një familje me 4 fëmijë, të cilët janë pa shtëpi por kanë në dispozicion tokë. E ëma është dënuar me burg. Ndërkohë fëmijët për shkak të pronësisë së tokës, nuk përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Anëtarët e Këshillit të Komunës duhet të këmbëngulin për heqjen e tokës, pasi nuk përdoret nga fëmijët, në mënyrë që ata të bëhen pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Gjithashtu Këshilli i Komunës duhet ta ndihmojë nëpërmjet një planifikimi më të mirë të buxhetit, duke shtuar vlerën mujore të ndihmës. Problemet vijnë edhe nga fëmijët e lindur jashtë martese, ku shumë fëmijë nuk marrin statusin e jetimëve.

 

Punoi:

Eridjona Kica

Eksperte Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, Fier