Observatori Shkodër – 29 Gusht 2013

Shkodër më, 29 Gusht 2013

Informacion mbi takimin e realizuar në Shkodër në kuadër të projektit “Forcimi i Shërbimeve të Mirëqenies Sociale të Fëmijëve në nivel rajonal, në përgjigje të implementimit të politikës të mospërjashtimit social të fëmijëve – RIDE”

 

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve -Shkodër në bashkëpunim me Njësinë e Drejtave të fëmijëve pranë Këshillit të Qarkut – Shkodër dhe me mbështetjen e përfaqësisë së UNICEF-it në Shqipëri. , më datë 29 Gusht 2013 në ambientet e sallës së Mbledhjeve të Qarkut Shkodër organizoi takimin e parë me grupin e punës në kuadër të zbatimit të projektit: “Forcimi i Shërbimeve të Mirëqenies Sociale të Fëmijëve në nivel rajonal, në përgjigje të implementimit të politikës të mospërjashtimit social të fëmijëve”.

 

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale (Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Rajonal; Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Shkodër), përfaqësues nga OJF lokale , punonjës të njësisë për të drejtat e fëmijëve në komunë dhe administratorë sociale.

Takimi u realizua sipas programit ku u prezantuan pjesëmarrësit. Më pas fjalën e mori Znj.Elma Tërshana me cilësinë e drejtueses së projektit e cila bëri një prezantim të Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve dhe  të projektit “Forcimi i Shërbimeve të Mirëqenies Sociale të Fëmijëve në nivel rajonal, në përgjigje të implementimit të politikës së mospërjashtimit social të fëmijëve”. Ky projekt synon ndër të tjera që të identifikojë ato raste të abuzimit të fëmijëve, të cilët sistemi përkatës i mbrojtjes nuk i identifikon dot. Nëse flasim për fëmijët që jetojnë në familje të varfra me NE, pjesë e varfërisë janë dhe ato familje që nuk u është pranuar kërkesa për NE apo dhe ato familje që për shkak të procedurave nuk arrijnë të aplikojnë për NE. Gjithashtu pjesëmarrësit morën informacion mbi shtrirjen territoriale të këtij projekti edhe në qarqet Fier e Kukës.

Nga Znj.Anilda Gurakuqi u bë një ekspoze e punës së deritanishme të Observatorit, arritjet si dhe bashkëpunimet e frytshme me institucionet rajonale; organizatat e shoqërisë civile dhe në mënyrë të vecantë me NjDF e Departamentin e  Shërbimeve Sociale pranë Këshillit të Qarkut Shkodër.

Nga ana e përfaqësuesit të NJDF pranë Këshillit të Qarkut Z. Jozef Serrmi projekti në fjalë është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në koordinimin e rasteve problematike të fëmijëve të cilët kanë nevojë për përfshirje në shërbime sociale. Por ai vendosi theksin se situata në Qarkun Shkodër nuk paraqitet e mirë në krijimin e njësive të Drejtave të Fëmijëve pranë Komunave. Nga 33 njësi administrative që ka qarku vetëm 7 njësi përfshirë edhe Bashkinë Shkodër kanë ngritur Njësinë e të drejtave të Fëmijëve.

 

Nga diskutimet që pasuan në takim u adresuan disa çështje për zgjidhje dhe disa të tjera si konkluzione të takimit, si më poshtë

– Zyra e projektit RIDE do të mundësojë koordinimin dhe harmonizimin e të gjithë strukturave të mirëqënies sociale në nivel rajonal dhe lokal, për t’u siguruar se asnjë fëmijë nuk përjashtohet nga gëzimi i të drejtave të tyre. Një gjë e tillë do të realizohet nëpërmjet rrjetëzimit të sfidave/ vështirësive, arritjeve dhe kapaciteteve ekzistuese. Kjo inisiativë e re do të ndihmojë në ofrimin e shërbimeve të integruara për fëmijët (jo vetëm përfitime nga skema e ndihmës ekonomike, por edhe nga fushat e tjera të mirëqënies sociale).

– Nxitja dhe lobimi që njësitë vendore të krijojnë Njësitë e të Drejtave të Fëmijëve dhe gjithashtu e rëndësishme të adresohet fuqizimi i metejshëm i këtyre strukturave të reja të cilat do të aftësohen të referojnë; orientojnë; koordinojnë por edhe të zgjidhin rastet problematike të fëmijëve në bashkëpunim me aktorët e tjerë ( Z.Jozef, NDF).

– Problematike paraqiten edhe rastet e fëmijëve të paarsimuar. Në një vizitë të menaxheres së Ëorld Vision Shkodër në fshatin Bardhaj të Komunës Rrethina në 3 familje janë evidentuar fëmijë të paarsimuar. E rëndësishme është që këto raste individuale të kthehen në çështje për tu zgjidhur. Gjatë takimit për këto raste specifike nga znj.Neta Pero u orientua dhe u informuan pjesëmarrësit se mund të ndiqet shkollë me korrespondëncë pranë Shkollës 9 vjecare në Shkodër “P.Vasa”. Në këtë mënyrë pjesëmarrësit patën mundësinë gjatë takimit të shkëmbënin informacione e praktika të mira të zgjidhjes apo koordinimit të rasteve të fëmijëve.

– Rekomandohet që NJMF të funksionojë në Komuna si një strukturë e posacme. Në nenin 39 të ligjit Kuadër për fëmijë pika 1 përcaktohet se mund të jëtë një strukturë e posacme ose si një njësi e strukturave të cështjeve sociale. Për shkak të ngarkesës, duhet të jetë një ose disa persona të vecantë që merren posacërisht vetëm me cështjet e fëmijeve. ( znj.Arlinda nga Ëorld Vision)

– Funksionimi i mekanizmit të referimit të rasteve duhet të jetë më funksional dhe të fuqizohet më tej. Ligji ka përcaktuar saktë hallkat ndërinstitucionale dhe ato të shoqërisë civile por duhet të ketë më bashkërendim ndërmjët tyre. (znj. Alketa, Drejtore e SHSRajonal).

– Sugjerohet supervizimi i strukturave të NMF-ve në komuna apo strukturave përgjegjëse për koordinimin e rasteve mbi punën, përformacën dhe bashkëpunimin reciprok. Gjithashtu sugjerohen takime të përmuajshme ose një herë në 2 muaj për të ndarë rastet, shpërndarë raporte në mënyrë që të krijohen edhe praktika të mira të zgjidhjeve të rasteve problematike (z. Altin, QKSHPSH).

– Ngritja e një database online në web të rasteve të referuara për zgjidhje nga aktorët lokal (Znj.Elma, Observatori Kombëtar).

-Të definohen procedurat e referimit të rasteve dhe protokolli përkatës.

Komuna Postribë dhe komuna Ana e Malit referojnë se kanë momentalisht 9 raste problematike (Komuna Postribë 5 raste dhe Komuna Ana e Malit 4 raste). Nga punonjësi i NjMF në Komunën Postribë theksohet saktësia e ligjit por aktualisht puna e kësaj njësie operon bazuar në një vullnet të mirë dhe moral individual për të zgjidhur rastet problematike. Të detajohet përshkrimi i punës së punonjësit të NMF në Komuna dhe ti kërkohet pushtetit vendor shtimi i përsonelit apo punonjësve në këtë strukturë (Z.Dashamir, NjMF Postribë).

– Mungesa e psikologut në shkolla të komunës mbetet një çështje për t’u adresuar. Në komuna nuk ka psikolog ndërsa në qytet një psikolog fuksionon për 2500 nxënës dhe kjo ngarkesë nuk lejon fuksionimin cilësor të detyrave të psikologut të nxënësve.

– Nga programi SOS Fshatrat e fëmijeve adresohet problematika e 3 të rinjve jetim lidhur me strehimin dhe përfshirjen në ndihmë ekonomike. Gjithashtu bëhen evidente problematikat e të rinjve jetim të cilët dalin nga jetimorja dhe kanë vështirësi në përfshirjen në jetën sociale dhe shpeshherë bëhen edhe pre e abuzimeve. (Znj. Jonida, SOS Shkodër).

 

Punoi:

Anilda Gurakuqi (Shestani)

Eksperte Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, Shkodër