DEKLARATË PUBLIKE

Mbi rastin e tentativës për abuzim seksual të një vajze 14 vjeçare nga ana e sekretarit të deputetit Koço Kokëdhima në qytetin e Sarandës.

Organizatat që vëzhgojnë dhe mbrojnë të drejtat e fëmijëve në vend, e vlerëson ngjarjen e ndodhur si një rast flagrant të shkeljes të të drejtave themelore të fëmijëve, si dhe një cënim tejet të rëndë të dinjitetit njerëzor të gruas dhe fëmijës.

Rasti në fjalë, i cili ka tronditur mbarë opinionin publik, tregon edhe një herë përpjekjet për shfrytëzim seksual të fëmijëve shqiptarë që bëhen nga persona të veshur me pushtet. Abuzimi i fëmijëve është tashmë një fenomen i njohur dhe kjo ngjarje tregon se sa lehtë mund të shkelen të drejtat e fëmijëve duke shfrytëzuar situatat e dëshpëruara të qytetarëve të thjeshtë për kërkimin e një vendi pune. Ne vlerësojmë maksimalisht kurajon e kësaj nëne dhe gruaje, e cila pavarësisht situatës së saj të varfërisë, vendosi të bëjë publike dhunën,e pamoralshmë të një njeriu të veshur me pushtetin e dhënë nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në qytetin e Sarandës.

Nisur nga kjo ngjarje e rëndë dhe tronditëse, organizatat që i janë bashkuar kësaj deklarate, rekomandojnë sa më poshtë:

1. Verifikimin e figurës së çdo personi që është në kontakt me qytetarët, sidomos me fëmijët, për të eliminuar çdo mundësi që persona me tendenca për të kryer krime seksuale të përdorin pozitën apo pushtetin e tyre për të shfrytëzuar fëmijë;

2. Kuvendi dhe Ministria e Brendshme duhet të shikojnë me prioritet miratimin e kërkesës disa vjeçare të shoqërisë civile, për krijimin e Rregjistrit Kombëtar për Krimet Seksuale, në mënyrë që të shmanget kontakti i grabitqarëve seksualë përkundrejt fëmijëve, grave etj.

3. Rritja e efektivitetit të punës të strukturave shtetërore të mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal për t’u gjendur më pranë problemeve të ndjeshme qe kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve.

4. Media duhët të mbështesë fushatat sensibiilzuese mbi të gjitha format e abuzimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve dhe denoncojë çdo rast të tyre, sidomos kur ato lidhen me zyrtarë publikë apo persona të afërt me ta.

5. Krijimi i një task force, ku njerëzit të mund të denocojnë raste te tilla, të ngjashëm me rastin e SHKB të shefit te policisë në Velipojë.

Kjo deklaratë mbështetet nga këto organizata:

– Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri
– Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA)
– ALO 116: Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës për Fëmijët
– Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve
– Shtëpia e të Drejtave të Njeriut
– Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA)
– Fondacioni” Syri I media së re”
– “Qendra e informimit Arhus” Vlorë
– Partner për fëmijët
– “Edukimi për Shoqërinë e Hapur”
– Women’s Democracy Network Albania
– “Shpresë për të ardhmen” Shkodër
– Shoqata qëndistarët Korçë
– REA OJF
– Ambasada PINK/LGBT
– Qendra për nisma ligjore Qytetare
– Shoqata”Gruaja Nëne dhe Edukatore”
– Gender Alliance for Development Center