Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë

Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë bëhet në përputhje me nenin 13 të Kreut IV “Arsimi bazë” i Dispozitave Normative për sistemin arsimor parauniversitar, 2013.

Procedurat e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë

  1. Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë të arsimit bazë për vitin e ri shkollor bëhet në dy javët e fundit të muajit qershor.
    1. Në gjashtë ditët e para kanë të drejtë të regjistrohen në klasën e parë të një shkolle publike vetëm nxënësit që i përkasin zonës së shkollës. Kur largësia e banesës së fëmijës nga dy shkolla publike është e diskutueshme, prindi zgjedh njërën nga dy shkollat.
    2. Në katër ditët pasuese kanë të drejtë të regjistrohen edhe nxënës që u përkasin shkollave të zonave të tjera. Regjistrime të veçanta pranohen deri ditët e para të fillimit të vitit shkollor në muajin Shtator.
  2. Çdo institucion arsimor duhet të zbatojë listën emërore të fëmijëve të dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në vijim të zbatimit të Urdhrit të përbashkët nr. 2, datë 05.01.2015 “Për miratimin e rregullores për zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit, datë 02.08.2013 “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor””.
  3. Regjistrimi i fëmijës në klasën e parë bëhet me këto dokumente:
    1. Certifikata e lindjes e fëmijës.
    2. Vërtetimi i vaksinimeve nga qendra shëndetësore.
    3. Raporti nga okulisti.
    4. Adresa e fëmijës.
    5. Vërtetimi i ndjekjes së kopshtit sipas grupeve, i firmosur nga drejtori i kopshtit (nëse ka).
  4. Në raste të veçanta, kur prindi dëshiron të regjistrojë fëmijën në klasë e parë, por:
    1. nuk disponon certifikatën e lindjes, drejtori i shkollës lejon që fëmija të ndjekë shkollën, sipas moshës së pretenduar nga prindi dhe i cakton prindit, sipas rrethanave, një afat për paraqitjen e certifikatës;
    2. nuk disponon vërtetimin e vaksinimeve, drejtori i shkollës i kërkon prindit t’i drejtohet qendrës shëndetësore përkatëse dhe, pas marrjes së vërtetimit, e regjistron fëmijën.

Ju sjellim në vëmendje përfitimin e:

  • Transport falas për nxënësit që ndjekin arsimin bazë ose kopshtin dhe që jetojnë në distancë mbi 2 km larg nga shkolla (Pika 1.b, Vendimit “Për përdorimin e fondeve publike për transportimin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”).
  • Tekste falas për fëmijët: viktimave të trafikimit, të ndodhur në paraburgim/vuajtje dënimi, të shtruar në Shërbimin Onkologjik, të policëve të rënë në detyrë, Rom dhe egjiptianë dhe përfitues në institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike.

(pika 6.9 e Vendimit nr. 707, datë 26.8.2015 “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar”, të ndryshuar”)

Vlerësimi i aksesit në shërbime për migrantët e kthyer

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve (Observatori), me mbështetjen e Agjensisë Austriake për Zhvillim (ADA), ka zbatuar gjatë periudhës Mars – Maj 2017, në qarkun e Dibrës, Fierit dhe Tiranës, nismën “Hartëzimi i Emigrantëve të kthyer shqiptarë (fokus i veçantë mbi fëmijët dhe familjet e tyre)”.

Duke besuar se emigrantët e kthyer janë një grup vulnerabël dhe duhen trajtuar me prioritet për të lehtësuar kështu procesin e ri-integrimit të tyre në vend, është ndërmarrë kjo iniciativë për të identifikuar nevojat e tyre për shërbime si dhe masën e plotësimit të tyre nga çdo institucion.

Për të kuptuar më mirë nevojat dhe sfidat e ndeshura në plotësimin e tyre, për secilin qark është realizuar një vlerësim i aksesit në secilën nga shërbimet bazë, duke dalë me disa rekomandime për secilin nga institucionet lokale, të cilët mund ti aksesosni si më poshtë:

Vlerësimi i situatës për qarkun Dibër:

https://observator.org.al/wp-content/uploads/2017/06/Vleresimi_i_sfidave_te_emigranteve_te_kthyer_ne_integrimin_ne_vend-Qarku_Diber.pdf

Vlerësimi i situatës për Qarkun Fier:

https://observator.org.al/wp-content/uploads/2017/06/Vleresimi_i_sfidave_te_emigranteve_te_kthyer_ne_integrimin_ne_vend-Qarku_Fier.pdf

Vlerësimi i situatës për Qarkun Tiranë:

https://observator.org.al/wp-content/uploads/2017/06/Vleresimi_i_sfidave_te_emigranteve_te_kthyer_ne_integrimin_ne_vend-Qarku_Tirane.pdf

Gjithashtu gjetjet nga i gjithë procesi i realizuar janë përdorur për të hartuar një dokument final i cili targeton institucionet qëndrore politikë-bërëse, duke dalë me disa rekomandime për secilën nga ministritë e linjës, të cilin mund ta aksesoni si më poshtë:

https://observator.org.al/wp-content/uploads/2017/05/Vleresimi_i_aksesit_ne_sherbime_per_migrantet_e_kthyer.pdf