Situata e përmbytjeve në zonat e Beratit, Fierit dhe Vlorës dhe nevoja për ndërhyrje
Skanimi i situatës nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve
12 Shkurt 2015
Për më shumë se 2 javë Shqipëria po kalon një situatë të vështirë përmbytjesh. Për shkak të reshjeve të shumta të shiut dhe dëborës që kanë mbuluar të gjithë vendin, përmbytjet kanë qenë një kërcënim jo vetëm për shtëpitë, agrikulturën dhe blegtorinë, por edhe për banorët gjithashtu. Bazuar në skanimin e situatës që Obseravtori për të Drejtat e Fëmijëve ka bërë, qarqet e prekura më shumë nga kjo situatë janë Berati, Fieri dhe Vlora. Në Berat përmbytjet janë shkaktuar si pasojë e prurjeve të mëdha të lumit Osum dhe daljes nga shtrati të këtij lumi. Në Fier përmbytjet janë shkaktuar si pasojë e daljes nga shtrati të lumenjve Vjosa, Seman dhe Gjanica, ndërsa në Vlorë si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosa. Figura 1 paraqet vendndodhjet e zonave të përmbytyra dhe komunat e prekura më shumë nga këto përmbytje
Figura 1: Zonat e prekura nga përmbytjet
Komunat e prekura më shumë nga përmbytjet, të cilat janë dhe komunat me dëmet më të mëdha të regjistruara në shtëpi, bujqësi, blegtori dhe dëme të tjera fizike janë:
Qarku Berat:
- Bashkia Ura Vajgurore
- Komuna Otllak – Fshati Moravë
- Bashkia Berat
Qarku Fier:
- Komuna Levan – Fshatet Ferras dhe Bashkim;
- Komuna Frakull – Fshatet Cerveze dhe Kashishte;
- Komuna Dermenas – Fshatrat Hoxhare, Povelce dhe Darzeze
Qarku Vlore:
- Komuna Novosele – Fshatrat Poro, Bishan, Mifol, Akerni dhe Novosele
Figura 2 tregon numrin e familjeve të prekura nga situata e përmbytjeve dhe numrin e familjeve të evakuara në nivel qarku. Në qarkun Berat nga 95 familje të prekura vetëm 1 familje me një nënë beqare është evakuar dhe është strehuar në një nga çerdhet e qytetit, pasi shtëpia e saj është shkatërruar nga përmbytjet. Në qarkun Fier nga 440 familje të prekura 126 prej tyre janë evakuar dhe jane strehuar pranë të afërmve të tyre. Në qarkun e Vlorës nga 500 familje të prekura 120 prej tyre janë evakuar. Në total numri i familjeve të prekura nga përmbytjet është 1035 familje dhe numri i familjeve të evakuara është 247 familje.
Figura 2 : Numri i familjeve të prekura nga përmbytjet dhe numri i familjeve të evakuara në nivel qarku
Figura nr. 3 paraqet numrin e familjeve të prekur nga përmbytjet në nivel komune, ku komuna më e prekur nga kjo situatë është komuna Novoselë në qarkun e Vlorës
Figura 3: Numri i familjeve të prekura nga situata e përmbytjeve në nivel komune
Numri i fëmijëve të prekur nga situata e përmbytjeve dhe të përfshirë në këtë situatë është 1355 fëmijë dhe figura nr. 4 paraqet numrin e fëmijëve të prekur në nivel rajonal.
Figura 4: Numri i fëmijëve të përfshirë në situatën e përmbytjeve në nivel rajonal
Në zonat e përmbytura disa nga insitucionet lokale si Shërbimi Social Shtetëror në nivel rajonal, qeveritë lokale, Stafi i Emergjencave Civile, etj kanë shpërndarë ndihma për familjet. Shërbimi Social Shtetëror në qarkun e Beratit ka ndërmarrë iniciativën të hapë një llogari bankare në ndihmë të familjeve të përmbytura. Deri tani shumë nga familjet kanë kontribuar për këto familje. Drejtoria Rajonale Arsimore në Berat dhe disa shkolla të Beratit kanë ndërmarrë iniciativën të mbledhin ushqim dhe veshmbathje për familjet e prekura.
Në qarkun Fier shumë institucione kanë shpërndarë ndihma si paketa ushqimore (nga 15 kg ushqime), veshmbathje, ushqim për bagëtinë, 800 batanije (gjatë këtyre ditëve do të shpërndahen edhe 1000 batanije për familjet e prekura nga përmbytjet). Qeveritë lokale kanë hasur vështirësi në identifikimin dhe shpërndarjen e ndihmave tek familjet e përmbytura, për shkak të kushteve të këqia në të cilat ndodhen komunat.
Të gjitha qarqet kanë nevoja emergjente për ndërhyrje, të cilat janë bazike në jetën e njerëzve. Nevojat e identifikuara janë:
- Ndihma ushqimore;
- Tenda;
- Krevate portative;
- Dyshekë;
- Batanije;
- Jastëkë;
- Veshmbathje personale;
- Ngrohje;
Është identifikuar gjithashtu nevoja për të ndërhyrë në rikonstruksionin e shtëpiave të shembura nga përmbytjet . Një nga kopshtet e qarkut Berat të komunës Otllak, është shkatërruar për shkak të përmbytjeve. Në shumë shkolla të përmbytura, ende nuk ka nisur mësimi rregullisht.