Dita Portokalli në Kuvendin e Shqipërisë

heforshe-banner

Dita Portokalli në Kuvendin e Shqipërisë

Nxënëset/it e shkollave të Tiranës dhe studentet/ët e Universitetit të Arteve, nga Kuvendi i Shqipërisë nxisin politikëbërëset/it dhe shoqërinë shqiptare, në veçanti djemtë dhe burrat, për të luftuar dhunën me bazë gjinore dhe atë në familje, si dhe diskriminimin e grave dhe vajzave në Shqipëri.

Tiranë, 6 mars 2015, ora 10.00

Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë, mirëpriti sot nxënëset/it e shkollave të mesme “Gramoz Palushi” Paskuqan, “Androkli Kostallari” Shkozë dhe “Mustafa Gerblleshi” Sauk, të cilët së bashku me studentet/ët dhe pedagoget/ët e Universitetit të Arteve realizuan një aktivitet sensibilizues mbi çështjet e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit, si dhe rolit që duhet të luajnë djemtë dhe burrat si partnerë dhe aleatë për eliminimin e dhunës me bazë gjinore e asaj në familje. Të rinjtë zhvilluan aktivitete artistike në pikturë, aktrim dhe grafikë, duke përcjellë mesazhe kundër dhunës, diskriminimit e pabarazive që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare sot.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Z. Ilir Meta, i cili mirëpriti të rinjtë dhe të rejat dhe përgëzoi këtë nismë të tyre duke theksuar se “Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve sot është një fenomen që nuk duhet kurrë të rreshtin së dënuari. Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve nuk mund të tolerohen, sidomos në një shoqëri si e jona, që familjen e sheh si një bërthamë të shenjtë, dhe pikërisht kjo kulturë civile duhet promovuar dhe duhet mbrojtur nga të gjithë. Unë gjithnjë kam besuar se fëmijët, të rinjtë dhe familja duhet të jenë në qendër të çdo aksioni të qeverisjes së vendit. Nuk mund të imagjinohet evolucioni i një shoqërie demokratike dhe sociale pa vlerësuar evolucionin e përpjekjeve për fuqizimin e rolit të gruas dhe të fëmijës dhe pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ndaj duhet që të gjithë institucionet duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre në këtë drejtim.”.
Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Z. David Saunders, theksoi se “Sado i vjetër apo i ri, ne burrat kemi një rol për të luajtur. Duke nisur që nga akti më i vogël i mirësjelljejes, deri tek veprimet e mëdha për fuqizimin e grave. Fakti se sot jemi këtu, tregon se e kuptojmë nevojën për të vepruar. Tashmë është koha që të ndërmerrni një tjetër hap në zotimin tuaj personal për të fuqizuar gratë dhe vajzat. Duhet të veproni për të influencuar kolegët në parlament, apo familjarët, miqtë tuaj. Bëhuni #HeForShe.”

Aktiviteti u përshëndet edhe nga zv/ministria e Arsimit dhe Sportit, Znj. Nora Malaj e cila theksoi rolin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në luftën kundra dhunës dhe pabarazisë gjinore dhe mbështetjen e veçantë për organizatat e shoqërisë civile të cilat operojnë në këtë fushë, duke nënvizuar kështu punën e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve si partner të qëndrueshëm në këtë sfidë.
Gjatë këtij aktiviteti, gjimnazistet/ët e zonave periferike në Tiranë, u bënë kështu lajmëtarët e barazisë gjinore dhe një shembull për politikëbërëset/it shqiptarë, në luftën kundër diskriminimit dhe pabarazive.

Dita Portokalli në Kuvendin e Shqipërisë u organizua nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në bashkëpunim me Organizatat e Kombeve të Bashkuara (UNDP dhe UN Women) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ky aktivitet vjen në kuadër të mbylljes së fushatës UNiTE: “Bëje Botën Tënde Portokalli – Trego se je kundër dhunës” (e shtrirë në periudhën kohore 25 nëntor 2014 – 8 mars 2015) si dhe në mbështetje të lëvizjes globale të solidaritetit për barazi gjinore “#HeForShe” .

Lëvizja e solidaritetit HeForShe është një fushatë globale e shtrirë gjatë gjithë vitit e cila ka si qëllim të angazhojë burrat dhe djemtë në mbarë globin si modele ndryshimi për arritjen e barazisë gjinore dhe eliminimin e dhunës me bazë gjinore e asaj në familje, duke i nxitur ata të ndërmarrin veprime konkrete kundër diskriminit gjinor.

[fbalbum url=”https://www.facebook.com/odf.albania/media_set?set=a.1557552007853740.1073741844.100007968667710&type=1″ desc=”1″ random=”1″]