Workshop – Debat mbi të dhënat si parakusht i vendimmarrjes efektive për fëmijët

Tiranë, 15 nëntor 2016

Workshop dhe debat

Të dhënat parakusht i vendimmarrjes efektive për fëmijët

Më dt. 15 Nëntor u zhvillua Workshopi i Rajonit të Tiranës me temë “Të dhënat parakusht i vendimmarrjes efektive për fëmijët”. Ky Workshop u realizua në  zbatim të projektit “Mbështetja e Observatorit në planifikimin e politikave në bazë të të dhënave për fëmijët me fokus ndërhyrjet në nivel vendor” i cili zbatohet në partnership me UNICEF dhe në vijim të 11 Workshop-eve të realizuara nga Observatori në 11 Rajonet e Shqipërisë në kuadrin e këtij projekti. Në Workshop morën pjesë përfaqësues nga: Këshilli i Qarkut të Tiranës; Prefektura Tiranë; organet e qeverisjes vendore të bashkive Tiranë, Kavajë, Kamëz dhe Vorë; institucionet shtetërore në nivel rajonal dhe vendor të sektorëve të arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe policisë si DAR Qarku Tiranë, ZA-Kamëz, DSHP-Kavajë, ASHR-Tiranë, SHSSH Zyra Rajonale Tiranë e DR. Policisë Tiranë; përfaqësues i Komisionerit për të drejtën e informimit publik dhe mbrojtjen e të dhënave personale si edhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë direkt ose indirekt në fushën e të drejtave të fëmijëve. Pjesëmarrja nga gjithë këto aktorë dhe institucione është një vlerësim dhe mbështetje e punës dhe misionit që Observatori ka realizuar gjatë këtyre viteve.

Disa nga rezultatet e debatit me të pranishmit në takim janë si më poshtë:

  • Nevoja e unifikimit të treguesve nga institucionet shtetërore në mënyrë që të jenë të krahasueshme si brënda vendit edhe jashtë tij në raporte të ndryshme. Fillimisht u hodh ideja e unifikimit të një numri të vogël treguesish bashkimi i të cilëve është lehtësisht i zbatueshëm.
  • Proçesi i mbledhjes së të dhënave në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor për fëmijët për vetë gamën e gjërë të treguesve, është delikat dhe ka hasur vështirësi  përpos dëshirës së mirë për bashkëpunim nga ana e institucioneve dhe qeverisjes vendore. Gjithsesi ecuria e tij për periudhën 2009-2015 ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në viti gjë që tregon dhe një ndërgjegjësim në rritje të institucioneve në këtë drejtim.
  • Ndarja e re teritoriale në fakt shkakton një tkurrje sa i takon të dhënave pasi mbledhja e të dhënave shkon deri në nivel bashkie dhe jo më në nivel njësie administrative pjesë përbërëse të këtyre bashkive.

Nga përfaqësuesi i komisionerit për të drejtën e informimit publik dhe mbrojtjen e të dhënave u vu në dukje se, në bazë të ligjit në fuqi, të dhënat statistikore që nuk përbëjnë sekret shtetëror dhe nuk janë cilësuar vetëm për përdorim të brëndshëm institucionet shtetërore janë të detyruara të plotësojnë kërkesat e paraqitura nga organizatat ose individët brënda afateve të përcaktuara. Puna është më lehtë kur bashkëpunimi ndërmjet organizatave dhe institucioneve është i rregulluar me një marrëveshje ose memorandum dypalësh me të drejta dhe detyrime të përcaktuara qartë.befunky-collage