Trajnime, konsultime dhe debate me përfaqësues të shkollave dhe institucioneve lokale në Durres – Cdo fëmijë në shkollë

SAM_1907Nisma “Çdo fëmijë në Shkollë” po realizohet nën vëmendjen e MAS, falë mbështetjes së UNICEF dhe po zbatohet nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve. Kjo nismë ka filluar në vitin 2013 dhe ndiqet nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve nga viti 2014 e në vazhdim, me synim identifikimin dhe rregjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve në moshë të detyrimit shkollor si edhe parandalimin e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve që janë në rrezik braktisjeje. Nisma synon ngritjen e mekanizmave të mjaftueshme që çdo fëmijë i moshës së detyrimit shkollor të ndjekë shkollën 9-vjeçare.

Në kuadër të zbatimit të nismës, përgjatë 20, 21 dhe 22 janar 2016 u zhvilluan 3 ditë trajnimesh, konsultimesh dhe debatesh me drejtues dhe përfaqësues të shkollave, përfaqësues të institucioneve lokale dhe pushtetit vendor në lidhje me zbatimin e Rregullores 3 Ministrore “Për identifikimin dhe rregjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor”. Në trajnime kishte një interes të shtuar, pjesëmarrje aktive të përfaqësueve lokale, të cilët u shprehen të gatshëm për t’u mobilizuar për të zbatuar këtë Rregullore- në funksion të çështjes së fëmijëve jashtë shkolle, dhe në risk të braktisjes së saj.

Trajnimet u lehtësuan nga stafi i angazhuar në nisme si dhe z. Besnik Rama, MAS. Gjatë trajnimit u shpjeguan rolet, detyrat, përgjegjësitë, afatet, periudhat e raportimit, mbledhjes së treguesve, hartimit të listave nga institucionet vartëse të Ministrive që kanë nënshkruar Rregulloren.