MESAZH PËR
Ditën Botërore të Popullsisë
Nga Dr. Babatunde Osotimehin
Nën-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe Drejtor Ekzekutiv i UNFPA

11 korrik, 2015

Një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se numri i personave të zhvendosur me forcë është rritur në një shifër rekord – gati 60 milionë njerëz në fund të vitit 2014. Në mes tyre, shumica gra dhe vajza adoleshente përballen me kërcënime të veçanta, si rezultat i mungesës së shëndetit dhe shërbimeve të tjera esenciale për të cilat ato kanë nevojë.
Edhe në kushte normale, komplikacionet e shëndetit riprodhues janë shkaku kryesor i vdekjes dhe sëmundjes tek gratë e moshës riprodhuese. Në situata humanitare është vlerësuar se një në pesë gra dhe vajza adoleshente ka të ngjarë të jetë shtatzënë. Ndërkohë që ndjekja e lindjes nga staf profesionist dhe kujdesi emergjent obstetrik shpesh bëhen të padisponueshme në emergjenca civile, vulnerabiliteti i grave shtatzëna dhe vajzave deri në dëmtime shëndetësore apo edhe vdekje përkeqësohet edhe më tej.
Gratë dhe vajzat adoleshente gjithashtu përballen më shumë me rrezikun e abuzimit, shfrytëzimit seksual, dhunës dhe martesës së detyruar gjatë konflikteve dhe fatkeqësive natyrore. Përveç kësaj, shumë gra që i mbijetojnë një krize, bëhen kreu i familjes, me përgjegjësinë e vetme që të kujdesen për fëmijët e tyre. Atyre u duhet që shpesh të kapërcejnë pengesa të mëdha për të siguruar shëndetin dhe kujdesin për fëmijët, të sëmurët, të plagosurit dhe të moshuarit dhe mbajnë barrën më të rëndë të ndihmës dhe rindërtimit. Si rezultat, ato mund të lënë pas dore nevojat e tyre, ndërkohë që kujdesen për të tjerët.
Emergjencat komplekse të cilave po u përgjigjemi përfshijnë konflikte të zgjatura, të përkeqësuara nga qeverisja e dobët apo e dështuar, pasojat e ndryshimeve klimatike, si dhe angazhimin e grupeve ekstremiste që pretendojnë territore, burime apo fuqi.
Kjo është arsyeja pse tema e Ditës Botërore të Popullsisë këtë vit “Popullatat vulnerabël në situata Emergjence”, ka për qëllim të nxjerrë në pah nevojat e veçanta të grave dhe vajzave adoleshente gjatë konflikteve dhe fatkeqësive humanitare.
Një nga prioritetet e UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, është që të fuqizojë dhe të mbrojë mirëqenien e grave, vajzave adoleshente dhe të rinjve dhe të adresojë nevojat dhe shqetësimet e tyre të veçanta. Ne punojmë ngushtë me qeveritë, sistemin e Kombeve të Bashkuara, partnerët lokalë dhe aktorë të tjerë për t’u përgatitur për fatkeqësitë dhe për të siguruar që shëndeti riprodhues të jetë i integruar në planet dhe përgjigjet ndaj emergjencave.

UNFPA siguron paketa higjene, furnizime me pajisje obstetrike dhe kontraceptivë, personel të trajnuar dhe mbështetje të tjera për popullsinë në nevojë. Ajo gjithashtu punon për të siguruar plotësimin e nevojave të grave, vajzave adoleshente dhe të rinjve si në fazë emergjence, ashtu edhe në fazën e rindërtimit. Qëllimi ynë është të sigurojmë mbrojtjen e të drejtës së grave dhe vajzave adoleshente për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të garantojmë sigurinë e tyre.
Në këtë Ditë Botërore të Popullsisë, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dyfishojë përpjekjet për të mbrojtur shëndetin dhe të drejtat e grave dhe vajzave. Ne duhet t’u mundësojmë grave, vajzave adoleshente dhe të rinjve të luajnë rolin e tyre të plotë në bisedimet për paqen, në ndërtimin e paqes dhe rikuperim, të sigurojmë që qeveritë të zbatojnë të drejtën ndërkombëtare dhe t’i sjellin autorët e dhunës seksuale para drejtësisë. Duke i dhënë prioritet shëndetit, të drejtave dhe pjesëmarrjes së plotë të grave, vajzave adoleshente dhe të rinjve në jetën publike, ne rrisim shanset tona për një botë më të drejtë, më të qëndrueshme dhe paqësore.