KOMENTET E OBSERVATORIT PËR TË DREJTAT E FËMIJËVE MBI PLANIN KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EUROPIAN 2016-2020

Në lidhje me proçesin e konsultimit mbi përmbledhjen e Planit  Kombëtar për Integrimin Europian (PKIE) 2016-2020, kërkuar nga Ministria e Integrimit, Observatori për të Drejtat e Fëmijëve paraqiti komentet si më poshtë:

  1. Në kapitullin për shoqërinë civile mendojmë se është përfshirë kuadri ligjor i nevojshëm i përfunduar dhe ai në punë e sipër për një aktivitet të mundshëm dhe efektiv. Por ka ende shumë punë për t’i mbështetur me donacione dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet shtetërore që do të ndikojnë në vazhdimësinë e projekteve edhe pas përfundimit të tyre duke i ngritur në nivelin e një shërbimeve që mund të ofroj shteti në vazhdimësi.
  2. Në fushën e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të fëmijëve në veçanti janë përfshirë masat për PVF 2016-2020, përmirësimi i ligjit nr.10347 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve” duke i dhënë më shumë rëndësi forcimit të NJMF që funkionojnë pranë njësive vendore nëpërmjet mbështetjes  edhe me buxhet. Në realitet  deri më tani këto njësi ende nuk janë mbështetur me buxhet dhe nuk janë forcuar përsa i përket stafit. Kjo ka ndikuar në mungesën e efektivitetit të punës së tyre. Niveli i ndërmjetëm i sistemit të mbrojtjes së fëmijës, ai rajonal (NjDF-të), në disa qarqe janë shkurtuar ose pezulluar (për mungesë buxheti) që nuk shkon njësh me strategjinë e përmirësimit dhe forcimit të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
  3. Po në sferën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve do të sygjeronim vënien e theksit në rritjen/fuqizimin e kapaciteteve të profesionistëve që punojnë në këtë fushë.
  4. Në lidhje me përgjegjshmërinë e qeverisjes vendore ndaj problemit të dhunës ndaj fëmijëve ka shumë për të bërë. Edhe drejtësia miqësore për fëmijët është ende larg e të qënurit e tillë duke filluar që nga puna në komisariatet e policisë, procesin e hetimit, intervistimit, ambientet e nevojshme për fëmijët, profesionalizmi i stafit të policisë e burgjeve si dhe gjyqtarët që ndjekin çështjet.
  5. Në Planin e Veprimit 2016-2020 për romët dhe egjiptianët i është dhënë rëndësi strehimit social dhe arsimit. Në këtë dokument thuhet që Ministria e Zhvillimit Urban ka hartuar projekt strategjinë e strehimit social dhe Planin e saj të Veprimit që pritet të miratohet në vitin 2016 ndërkohë që ky problem është i vjetër dhe urgjent jo vetëm për romët dhe egjiptianët por edhe për familjet e varfëra e të pastreha të shumicës tjetër të popullsisë. Banesat sociale ende nuk janë shpërndarë ndërkohë gjithmonë flitet për strategji e plane veprimi duke vënë theksin tek tog fjalëshi “do të …”.
  6. Në fushën e mbrojtjes sociale në PKIE 2016-2020 është parashikuar reforma në shërbimet sociale në drejtim të decentralizimit të shërbimeve sociale dhe deinstitucionalizimit të përkujdesit shoqëror si dhe krijimin e regjistrave elektronik të familjeve përfituese të ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar. Deri tani në drejtim të decentralizimit të shërbimeve të përkujdesit shoqëror nëpërmjet mundësisë së futjes së shërbimeve alternative (shtëpi-familje, qëndra ditore, shërbime në komunitet etj) tentativat më shumë janë bërë nga sektori privat që shpesh nuk ka shtrirje sipas nevojave dhe nuk është i koordinuar nga shteti. Qeverisja vendore, me përjashtim të bashkisë së qytetit të Tiranës, nuk ka pasur mundësi financiare për të ngritur dhe financuar vetë shërbime sociale ose të përkujdesit shoqërore. Reforma e re administrative sapo ka filluar dhe nuk dihet ende se sa do të mbështeten me buxhet bashkitë e reja dhe nëse do të kenë mundësi të gjenerojnë fonde që mund të përdoren në fushën e shërbimeve sociale dhe të përkujdesit në komunitet.
  7. Po në fushën e mbrojtjes sociale duhet parë si prioritet minimizimi i dhunës në familje nëpërmjet strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje duke hartuar dhe zbatuar plane parandalimi dhe rehabilitimi jo vetëm për viktimën por edhe dhunuesin duke synuar mundësinë e mospërsëritjes së këtyre fenomeneve.
  8. Në këtë dokument vihet re që për qeverinë shqiptare në fushën e politikave sociale mbeten ende vetëm si rekomandime; Forcimi dhe shtrirja e mekanizmit të mbrojtjes së fëmijëve, përfitimi i politikave të integrimit për komunitetet e margjinalizuara dhe integrimi i personave me aftësi të kufizuar. Lidhur me këtë në PKIE 2016-2020 mendojmë se mungojnë prioritetet për realizimin e këtyre rekomandimeve.
  1. Në lidhje me papunësisë shifrat të paktën për vitin 2015 nuk janë inkurajuese. Nëse grupmosha 15-30 vjeç zë 28% ose 42539 të totalit të papunëve punëkërkues (pa llogaritur ata që nuk janë paraqitur në zyrat e punës) programet e realizuara për vitin 2015 për nxitjen e punësimit kanë përfshirë 5631 punëkërkues dhe kanë qënë përfitues 582 subjekte, pra shumë pak në krahasim me përmasat e mëdha të papunësisë prej 151926 të papunë punëkërkues. Ndoshta janë të nevojshme programe më efiçente sidomos për reduktimin e papunësisë tek të rinjtë.
  2. Për sa i përket arsimit ajo që përbën  interes për ne është prioriteti  që  i është dhënë ndërhyrjes në sistemin parashkollor ( femijeria e hershme). Kjo është një domosdoshmëri për përmirësimin e cilësisë së këtij sistemi dhe punës me fëmijët. Organizimi i këtij sistemi do të ndihmonte edhe reformën e nisur në sistemin arsimor.
  1. Në aspektin ligjor do të sygjeronim përshpejtimin e miratimit të project-ligjit për ndërmarjet sociale si një mundësi që u jepet grupeve në nevojë dhe vetë shoqërisë.

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve