Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë

REGJISTRIMI I NXËNËSVE NË KLASËN E PARË
Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë bëhet në përputhje me nenin 13 të Kreut IV, “Arsimi bazë”, të Dispozitave Normative për sistemin arsimor parauniversitar, 2013, të ndryshuara.
Procedurat e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë
- Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë të arsimit bazë për vitin e ri shkollor bëhet në dy javët e fundit të muajit qershor.
- Në gjashtë ditët e para kanë të drejtë të regjistrohen në klasën e parë të një shkolle publike vetëm nxënësit që i përkasin zonës së shkollës. Kur largësia e banesës së fëmijës nga dy shkolla publike është e diskutueshme, prindi zgjedh njërën nga dy shkollat.
- Në katër ditët pasuese kanë të drejtë të regjistrohen edhe nxënës që u përkasin shkollave të zonave të tjera. Regjistrime të veçanta pranohen deri ditët e para të fillimit të vitit shkollor në muajin shtator.
- Çdo institucion arsimor duhet të zbatojë listën emërore të fëmijëve të dërguar nga Ministria e Brendshme, në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) dhe Ministrisë së Brendshme (MB), me nr. 7522 prot., datë 12.07.2018 “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës shkollore”.
- Regjistrimi i fëmijës në klasën e parë bëhet me këto dokumente:
- Vërtetimi i vaksinimeve nga qendra shëndetësore.
- Vërtetimi i ndjekjes së kopshtit sipas grupeve, i firmosur nga drejtuesi i kopshtit (nëse ka).
- Në raste të veçanta, kur prindi dëshiron të regjistrojë fëmijën në klasë e parë, por nuk disponon vërtetimin e vaksinimeve, drejtori i shkollës i kërkon prindit t’i drejtohet qendrës shëndetësore përkatëse dhe, pas marrjes së vërtetimit, e regjistron fëmijën.
Ju sjellim në vëmendje përfitimin e:
- Transportit falas për nxënësit që ndjekin arsimin bazë ose kopshtin dhe që e kanë shtëpinë ku banojnë mbi 2 km larg nga shkolla (Pika 1.b e Vendimit 682, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përdorimin e fondeve publike për transportimin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”, të ndryshuar).
- Teksteve shkollore në përdorim falas për nxënësit e klasave I-IV (Pika 1 e Udhëzimit të MASR-së 24, datë 19.7.2018 “Për dhënien në përdorim falas dhe kthimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave I–IV të arsimit bazë” dhe teksteve shkollore falas për fëmijët: viktima të trafikimit; të ndodhur në paraburgim/vuajtje dënimi; të shtruar në Shërbimin Onkologjik; e policëve të rënë në detyrë; romë dhe egjiptianë; me status jetimi; të pakicave kombëtare; përfitues në institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike.
(pika 6.9 e Vendimit nr. 707, të Këshillit të Ministrave, datë 26.8.2015 “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar, të ndryshuar”).