Lançimi i Raportit: “Të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri 2009”
Tiranë 14 Dhjetor – Aleanca për Fëmijët në Shqipëri/ Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, prezantojnë sot raportin mbi situatën e fëmijëve në disa qarqe të Shqipërisë nga pikëpamja e realizmit të të drejtave si dhe përpjekjet e politikave në nivel qendror dhe lokal.
Ky takim synon që të kontribuojë në zhvillimin e politikave publike lokale dhe strategjive, – në shërbim të interesit më të lartë të fëmijës. Të gjithë informacionet dhe të dhënat për hartimin e këtij raporti janë marrë nga institucione zyrtare të nivelit qendror, rajonal dhe lokal.
Raporti i hartuar nga Observatori në lidhje me “Të Drejtat e fëmijëve në Shqipëri, 2009”, përmban të dhëna në lidhje me realizimin e të drejtave të fëmijëve në qarqe, duke i paraqitur ato deri në nivel bashkie dhe komune. Të drejtat që janë pjesë e këtij procesi monitorimi, përfshijnë: të drejtën për kujdes shëndetësor, të drejtën për edukim, të drejtën për mbrojtje shoqërore, dhe të drejtën për pjesëmarrje. Informacioni i përpunuar në këtë studim është mbështetur kryesisht në statistikat përkatëse të vitit 2009, duke synuar që të jetë një analizë konstruktive për të ndihmuar institucionet vendore për një përmbushje dhe përqasje më profesionale dhe të plotë të të drejtave të fëmijëve.
Trajtimi i raportit deri në nivel lokal, lidhet me thellimin e decentralizmit, sidomos me rritjen e përfshirjes së qeverisjes vendore në hartimin e politikave lidhur me zbatimin konkret të të drejtave të fëmijëve. Një dukuri e tillë ka nxjerrë si të domosdoshme përfshirjen më të madhe dhe më me përgjegjësi të organeve të pushtetit vendor në këtë veprimtari të rëndësishme, nëpërmjet ndërmarrjes së hapave konkretë.
Qeveria Shqiptare me mbështetjen e UNICEF- it, po punon në harmonizimin e politikave të të drejtave të fëmijëve në vend. Disa nga këto fryte të këtij bashkëpunimi lidhen me: hartimin e ligjit për të drejtat e fëmijëve; përparësitë në planet kombëtare social-ekonomike, duke caktuar fonde te mjaftueshme buxhetore për fëmijët e pambrojtur ; sigurimin e informacionit të rregullt për fëmijët dhe te rinjtë, me qëllim monitorimin e të drejtave në nivel lokal dhe kombëtar.
Ky botim mundësohet falë bashkëpunimit të UNICEF, specialistëve të Observatorit Kombëtar dhe ekspertëve të tjerë të jashtëm.
