Observatori Durrës – 17 Nëntor 2011

Zyra e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve – Durrës ka organizuar tryeza të rrumbullakta me aktorët lokalë për t’i njohur ata me Draft- Planin e Veprimit 2011-2015 të Strategjisë Kombëtare për Fëmijë të hartuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Gjithashtu Observatori ka marrë opinionet e aktorëve në lidhje me këtë draft. Disa nga institucionet lokale që morrën pjesë në diskutimet rreth Planit të Veprimit ishin: Këshilli i Qarkut Durrës, Drejtoria e Shëndetit Publik Durrës, Shërbimi Social Shtetëror Durrës, Zyra Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror Durrës, Qarku Durrës dhe Drejtoria Arsimore Rajonale Durrës. Institucionet shprehën mendimet e tyre për përmirësimin e disa pikave në Draft- Planin e Veprimit:

  • Të bëhet një koordinim i dy plan veprimeve; të Plan Veprimit të Luftës Kundër Trafikimit të Fëmijëve me Plani ne Veprimit të Viktimave të Trafikimit
  • Të hapen njësi për të drejtat e fëmijëve edhe në komuna ku të përcaktohen qartë dhe në mënyrë specifike detyrat dhe mënyra se si do të mbështeten këto njësi me fonde.
  • Të ketë buxhet konkret për fëmijët në nevojë që do të mbështeten nga shërbimi social
  • Përfshirja e inspektoriatit shtetëror të punës.

Observatori Dibër – 20 nëntor 2011

Në kuadër të 20 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, zyra e Aleancës për të Drejtat e Fëmijëve në qarkun e Dibrës organizoi veprimtarinë me temë ‘Promovojmë të drejtat dhe detyrat tona”. Bashkë organizatorë të kësaj veprimtarie ishin Pushteti Lokal, Qeveria e Nxënësve, Këshilli i Prindërve etj. Veprimtaria konsistoi në një koncert të zhvilluar nga vetë fëmijët e shkollave. Gjithashtu fëmijët me anë të krijimeve shprehën mendimet e tyre lidhur me të drejtat që ata gëzojnë. Një nga Komunat e Dibrës i dhuroi një shumë simbolike njërës prej shkollave.
Në përfundim të kësaj veprimtarie, fëmijët u shprehen entuziast dhe organizatorët gjithashtu, duke shprehur interesin për të organizuar dhe veprimtari të tjera në të ardhmen.

Observatori Dibër – 15 Nëntor 2011

Zyra e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve – Dibër ka organizuar tryeza të rrumbullakta me aktorët lokalë për t’i njohur ata me Draft- Planin e Veprimit 2011-2015 të Strategjisë Kombëtare për Fëmijë të hartuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Gjithashtu Observatori ka marrë opinionet e aktorëve në lidhje me këtë draft. Disa nga institucionet lokale që morrën pjesë në diskutimet rreth Planit të Veprimit ishin: Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Dibër, Prefektura Dibër, Zëri 16+ Dibër, Njësia për Mbrojtjen e të Drejtave të fëmijëvë Dibër, World Vision, Partner për Fëmijët dhe Observatori për të Drejtat e Fëmijëve. Institucionet shprehën mendimet e tyre për përmirësimin e disa pikave në Draft- Planin e Veprimit:

  • Të përcaktohen njësitë vendore si struktura që duhet të krijojnë bazë të dhënash për respektimin e të drejtave të fëmijëve.
  • Të evidentohen saktë dhe në mënyrë periodike “fëmijët në risk” dhe të merren masa konkrete sipas problematikave
  • Të fuqizohen Qeveritë e Nxënësve nëpërmjet aktivitetevedhe fondeve në dispozicion të tyre nga njësitë vendore
  • Të ngrihen CPU në të gjitha njësitë vendore
  • Tryezat Rajonale Antitrafik të zgjerojnë fokusin e punës së tyre për të gjitha çështjet që cënojnë të drejtat e fëmijëve, si një ndër grupet më në nevojë.
  • Të rritet siguria brenda ambjenteve të shkollave nëpërmjet vendosjes së sistemit të kamerave
  • Monitorim më i kujdesshëm nga strukturat vendore i bizneseve lokale që ofrojnë shërbime pëe fëmijë, duke siguruar cilësinë e tyre dhe duke garantuar sigurinë e fëmijës
  • Krijimi i mundësive në komunitete ku fëmijët të shprehin aftësitë dhe prirjet e tyre, ngritja e qëndrave rinore apo alternativave të ngjashme me ta.
  • Rritja e rolit të prindërve dhe strukturave të tjera në shkollë që sigurojnë bashkëpunim të vazhdueshëm dhe cilësor të familjeve me shollën në interes të mbarëvajtjes së fëmijëve.

Observatori Berat – 20 nëntor 2011

Në kuadër të 20 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, Observatori Berat organizoi aktivitetin ndërgjegjësues për të drejtat e fëmijëve. Bashkë organizatore e kësaj veprimtarie ishte edhe Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve Berat. Veprimtaria pati formën e një marshimi me fëmijë të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve përgjatë sheshit kryesor. Pjesëmarrës në këtë veprimtari ishin përfaqësues të Bashkisë Berat, të Prefekturës, psikologë, mësues si dhe media lokale.
Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie ishte ndërgjegjësimi i komunitetit për respektimin e të drejtave të fëmijëve.
Në përfundim të kësaj veprimtarie, fëmijët u shprehen entuziast dhe organizatorët gjithashtu, duke shprehur interesin për të organizuar dhe veprimtari të tjera në të ardhmen.

Observatori Berat – 14 Nëntor 2011

Zyra e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve në Berat ka njohur aktorët lokalë me Draft- Planin e Veprimit 2011-2015 të Strategjisë Kombëtare për Fëmijë, të hartuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Gjithashtu Observatori ka marrë opinionet e aktorëve në lidhje me këtë draft. Disa nga institucionet lokale që morrën pjesë në diskutimet rreth Planit të Veprimit ishin: Drejtoria e Shërbimeve Sociale Shtetërore, Drejtoria e Shërbimit Social në Bashkinë Berat, Shërbimet Sociale në Bashkinë Berat, Njësia e Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve, Save the Children, Shërbimi Social në Qark, Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijëve në Prefekturë dhe Njësia e Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve në Bashkinë e Kuçovës. Institucionet shprehën mendimet e tyre për përmirësimin e disa pikave në Draft- Planin e Veprimit:

  • Të mendohet se si do të mblidhen gjobat si një masë ndëshkuese në mënyrë që të ndihet pesha e ligjit.
  • Bashkëpunimi Institucional për menaxhimin e rasteve, që është edhe një nga çështjet më kryesore të të drejtave të fëmijëve, duhet të rregullohet me aktye nënligjore dhe jo me marrëveshje formale institucionale.
  • Në mënyrë që ndërhyrja e psikologut në shkolla të jetë e efektshme, duhet të ekzistojë një psikologë në çdo shkollë çdo ditë të javës.