Observatori Fier – 14 Nëntor 2011

Komente mbi Draftin Plani i Veprimit 2011-2015 të Strategjisë Kombëtare për Fëmijë

Zyra e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve – Fier ka organizuar tryeza të rrumbullakta me aktorët lokalë për t’i njohur ata me Draft- Planin e Veprimit 2011-2015 të Strategjisë Kombëtare për Fëmijë të hartuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Gjithashtu Observatori ka marrë opinionet e aktorëve në lidhje me këtë draft. Disa nga institucionet lokale që morrën pjesë në diskutimet rreth Planit të Veprimit ishin: Drejtoria e Shërbimeve të Përkujdesjes Shoqërore Qarku Fier, Zyra Rajonale e Shërbimeve Sociale Shtetërore, Terre des Hommes Fier, Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, Drejtoria rajonale e Shëndetësisë, Zyra e Ndihmës Ekonomike dhe Përkrahjes Sociale Komuna Fratar, Zyra e Ndihmës Ekonomike dhe Përkrahjes Sociale Komuna Qendër dhe Zyra e Ndihmës Ekonomike dhe Përkrahjes Sociale Bashkia Lushnje . Institucionet shprehën mendimet e tyre për përmirësimin e disa pikave në Draft- Planin e Veprimit:

  • Mjekët e familjes në përputhje me ligjin në fuqi nr 9669 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet famijlare”, duhet të depistojnë rutinë në çdo familje, në mënyrë që të evidentojnë që në momentet e para dhunën tek fëmijët
  • Të promovohet ushqyerja e shëndetshme e fëmijëve.
  • Të përmirësohet aksesi i shërbimeve të fëmijëve në kujdesin shëndetësor parësor, dytësor etj, kjo pasi në shumë zona të vecuara rurale të qarkut të Fierit, shumë fëmijë për shkak të infrastrukturës jo të favorshme e kanë të vështirë të marrin shërbime shëndetësore cilësore.
  • Përmirësimi i ligjit për median në mënyrë që të specifikohen llojet e programeve që mund të sjellin pasoja negative tek fëmijët.
  • Krijimi i mundësive të njëjta për fëmijët me aftësi të kufizuar.
  • Të mos ketë problem në proçesin e rregjistrimit të fëmijëve
  • Masivizimi i numrit të shkollave verore në zonat periferike të qarkut të Fierit, ku të integrohen edhe fëmijët romë dhe egjyptian
  • Studime më në detaje për fëmijët e zonave rurale që braktisin shkollën si pasojë e punës në bujqësi dhe blegtori dhe marrja e masave lehtësuese.
  • Kurrikulat duhet të kenë sa më shumë informacion ndërgjegjësues për fëmijët për dhunën, Hiv- Aids, braktisjen e shkollës, duhanin etj.