“Forcimi i Shërbimeve të Mirëqenies Sociale të Fëmijëve në nivel Rajonal – RIDE”

Donator: UNICEF – Shqipëri
Entiteti zbatues: Observatori për të Drejtat e Fëmijëve (ODF)

1. Përmbledhje Ekzekutive
Roli i Observatorit këtë vit (Maj 2013 – Maj 2014), në bashkëpunim me Njësinë për të Drejtat e Fëmijëve, do të konsistojë në koordinimin dhe hramonizimin e të gjithë strukturave të mirëqënies sociale në nivel rajonal dhe lokal, për t’u siguruar se asnjë fëmijë nuk përjashtohet nga gëzimi i të drejtave të tyre. Kjo inisiativë e re do të ndihmojë në ngritjen e një strukture të integruar dhe koordinuar për mundësimin e përkujdesit social dhe shërbimeve të mbrojtjes sociale, të cilat mungojnë aktualisht – veçanërisht në nivel rajonal/lokal.

2. Informacion i përgjithshëm
Politikat e të Drejtave të Fëmijëve janë një komponent i rëndësishëm i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013 (SKZHI), si dhe i Strategjisë për Përfshirje Sociale. Këto dokumente i referohen nevojës eksplicite për të implementuar ligjet e lidhura me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, lidhur veçanërisht me të drejtën për të jetuar, të drejtën për përkujdes shëndetësor, të drejtën për arsim dhe për zhvillim normal. Përpos strategjive të sipër përmendura, të cilat drejtojnë formulimin e politikave sektoriale dhe ndërsektoriale të të drejtave të fëmijëve, objektivat parësore si dhe ndërhyrjet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të cilat ndikojnë drejt për drejt në mirëqenien e fëmijëve, janë të specifikuara në Planin Kombëtar të Veprimit 2012-2015.
Sipas ligjit mbi “Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve”, ASHMDF në bashkëpunim me NJDF – të (në 12 rajone) janë të mandatuara për të monitoruar dhe koordinuar politikat të cilat sigurojnë se asnjë fëmijë nuk është i përjashtuar nga gëzimi i të drejtave të tij. Pesë VKM -të më të rëndësishme të adoptuara së fundmi nga qeveria apelojnë për koordinimin dhe harmonizimin e të gjithë strukturave të mirëqenies sociale në nivel rajonal dhe lokal që të garantojnë përmbushjen e të drejtave të fëmijëve.
Pavarësisht gjithë këtyre angazhimeve, të drejtat e fëmijëve për mirëqenie sociale vazhdojnë të mbeten të paidentifikuara nga vendimmarrësit lokal, rajonal dhe kombëtar. Nevojitet një koordinim i përmirësuar i burimeve të mirëqenies sociale nëpërmjet: së pari matjes së përmirësuar së përjashtimit të fëmijëve (problemi specifik 1), dhe së dyti formulimi efektiv i ndërhyrjeve për fëmijët e përjashtuar (problemi specifik 2)

3. Përshkrimi i problemit
ACA e mbështetur nga UNICEF kanë ndihmuar në ngritjen e një rrjeti observatorësh të shoqërisë civile në 12 rajonet e vendit. Observatorët kanë mbledhur të dhëna dhe kanë gjeneruar analiza të një cilësie në rritje – duke përfshirë një faqe webi publike – të lidhur me fëmijët. Ata bashkëpunojnë ngushtësisht me institucionet lokale, NJDF-të dhe NJMF-të në qarqe, si dhe me Drejtoritë Rajonale të Arsimit, Shëndetit, Shërbimeve Sociale Shtetërore dhe autoriteteve të tjera si dhe shërbim ofruesve. Të dhënat për situatën e fëmijëve në çdo komunë (ose të agreguara në nivel rrethi, rajoni ose kombëtar) rreth dhe qark janë të disponueshme në www.aca.org.al .
Aktorët kyç lokalë, përgjegjës dhe institucioni i vetëm lokal titullar për mbrojtjen e fëmijëve, identifikojnë nevojën për koordinim më të mirë ndërmjet tyre dhe për sigurimin e zgjidhjes më të mirë dhe imediate për fëmijët në rrezik. Ekspertët e Observatorëve në rajone, në sajë të ndërhyrjes dhe inkurajimit të UNICEF kanë qenë ndër ekspertët e parë të cilët kanë qenë pjesëmarrës në draftimin dhe përpilimin e strategjive rajonale për të drejtat e fëmijëve. Në punën e tyre të përditshme, ekspertët në momentin e parë që kanë identifikuar një fëmijë në situatë risku kanë ngritur ura komunikimi me të gjithë aktorët lokalë psh; 4 raste nga zyra e Kukësit, 2 raste nga zyra e Fierit, 3 raste nga zyra e Shkodrës dhe të tjerë. Fëmijët që jetojnë në familje të varfra dhe që janë pjesë e fëmijëve të ekspozuar ndaj riskut, janë në nivele të larta në zonat e zgjedhura për zbatimin e projektit (sipas të dhënave të vitit 2010, përqindja e fëmijëve 6-15 vjeç të cilët jetojnë në familje të varfra dhe që mbështeten me Ndihmë Ekonomike në: Kukës 46.56%, Fier 4.92% dhe Shkodër 20.49%).

Objektivi i përgjithshëm: Zhvillimi i një trajtimi gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për zbatimin e politikave të mirëqenies sociale të fëmijëve, për të parandaluar përjashtimin e fëmijëve dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Objektivi Specifik 1: Përmirësimi i sektorit publik dhe përgjigjshmërisë së shoqërisë civile për gjithpërfshirjen e fëmijëve mbështetur nga analiza e politikave mbi bazën e evidencave
Objektivi Specifik 2: Sigurimi i një pakete gjithëpërfshirëse të shërbimeve për fëmijët më vulnerabël në një mënyrë të integruar.
Përmbushja e objektivave specifikë 1 dhe 2 do të ndihmojë në rritjen dhe kuptimin e impaktit që kanë politikat e përfshirjes sociale, në përcaktimin e qëllimit dhe cilësisë së shërbimeve të disponueshme për fëmijët në nevojë kritike për mbrojte dhe përkujdesje. Prandaj, projekti “Përforcimi i Shërbimeve të Mirëqenies Sociale të Fëmijëve në nivel rajonal, në përgjigje të përjashtimit social të fëmijëve”, duke zhvilluar një trajtim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për implementimin e politikave të mirëqenies sociale te fëmijëve, do të kontribuojë efektivisht në parandalimin e përjashtimit të fëmijëve dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, i cili është dhe objektivi i përgjithshëm i projektit. Në këtë mënyrë, projekti i dorëzuar do të sigurojë mbështetje efektive në implementimin e ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve si dhe të Planit Kombëtar të veprimit 2012-2015.

Ky projekt, duke synuar t’i shërbejë fëmijëve në risk dhe të përjashtuar nga sistemi, do të targetojë të gjithë fëmijët vulnerabël të cilët jetojnë në 12 rajonet e vendit. Implementimi i këtij projekti do të influencojë edhe si një instrument ndërsekstorial për të gjitha rezultatet e përmendura në këtë thirrje, por rezultatet kryesore që ky projekt do të adresojë janë:

  • Kontributi në implementimin dhe monitorimin e ligjit mbi Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe aktet e tij nën ligjore, me fokus fëmijët në risk
  • Rritja e ndërgjegjësimit për të drejtat e fëmijëve (psh; nëpërmjet ofrimit të trajnimeve) ndërmjet të gjithë grupeve profesionale të cilët punojnë me fëmijët dhe për fëmijët, veçanërisht zyrtarët e zbatimit të ligjit
  • Mbështetja në decentralizimin e implementimit të legjislacionit dhe politikave për të drejtat e fëmijës në nivelin e qeverisjes lokale dhe dhënia e kontributit në mirëfunksionimin e mekanizmave të të drejtave të fëmijëve në nivel lokal (NJDF dhe NJMF)
  • Dhënia e kontributit në parandalimin e braktisjes së shkollës, veçanërisht të fëmijëve nga grupet vulnerabël dhe vajzave në zonat rurale.

Target grupi i projektit janë fëmijët në situatë rreziku ose në nevojë për mbrojtje sociale; familjet me fëmijë të ekspozuar ndaj varfërisë dhe/ose me një risk të lartë të përjashtimit social; institucionet e qeverisjes lokale/rajonale, shoqëria civile.

Përfituesit final të projektit janë fëmijët, sidomos ata të përjashtuar ose në risk për t’u përjashtuar; ose ndryshe thënë në nevojë për shërbime të mbrojtjes sociale.

Rezultatet e vlerësuara të këtij projekti janë:
Rezultati 1: Menaxhimi i të dhënave dhe integrimi i kapacitetit analitik të rrjetit të shoqërisë civile të observatorëve së bashku me institucionet shtetërore dhe lokale për mbrojtjen e fëmijëve, në pesë rajonet. Do të projektohet dhe zhvillohet modeli “One Stop Shop”
Rezultati 2: Shndërrimi i NJDF-së në një Shërbim Rajonal të Mbrojtjes Sociale për fëmijët, brenda strukturave të Këshillit të Qarkut me qëllim implementimin efektiv të VKM-së 264-267 dt 12 Prill 2012, në lidhje me sigurimin e shërbimeve dhe koordinimin e politikave. Pilotimi i proçesit të One Stop Shop”.

Përshkrimi i aktiviteteve për çdo Objektivë të projektit
Objektivi Specifik 1 dhe aktivitetet e tij
Aktiviteti 1.1: Ndërtimi i partneritetit dhe bashkëpunimit institucional brënda rajoneve të përzgjedhura për të prodhuar analiza të bazuara në implementimin e politikave të përfshirjes dhe mbrojtjes sociale.
Aktiviteti 1.2: Vlerësimi i nevojave të fëmijëve për shërbime të mirëqënies sociale, bazuar në standartet ndërkombëtare dhe shërbimeve aktuale që i mundësohen
Aktiviteti 1.3: Analizë e bazuar në evidenca e shërbimeve të mirëqënies sociale, matjen e cilësisë së shërbimeve duke i krahasuar me standardet Kombëtare (të garantuara nga Ligji), dhe standarded Europiane
Aktiviteti 1.4: Vlerësimi dhe hartëzimi i kapaciteteve institucionale, roleve dhe detyrave në 5 rajonet e zgjedhura në përputhje me implementimin e VKM-së 264-267, dt 12 Prill 2012.
Aktiviteti 1.5: Projektimi i modelit “One Stop Shop” për mundësimin e shërbimeve të mirëqenies sociale për fëmijët në 5 rajonet.

Objektivi Specifik 2 dhe aktivitetet e tij
Aktiviteti 2.1: Formalizimi i planit të veprimit të detajuar se si të transformohen institucionet ekzistuese në një mekanizëm të unifikuar dhe të qëndrueshëm qeverisës të hartuar për të siguruar se asnjë fëmijë nuk do të mbetet i përjashtuar.
Aktiviteti 2.2: Forcimi i kapaciteteve të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile në nivel rajonal për përforcimin e ligjit.
Aktiviteti 2.3: Prodhimi i shërbimeve më efektive për fëmijët bazuar në koordinimin dhe harmonizimin e kapaciteteve ekzistuese.
Aktiviteti 2.4: Implementimi i modelit “One Stop Shop”
Aktiviteti 2.5: Rritja e ndërgjegjësimit/advokacisë për të inkurajuar funksionimin e modelit në të gjithë vendin.