“Çdo fëmijë Rom në kopsht: Ndërtimi i rrjeteve të advokimit dhe praktikave të suksesshme të integrimit të fëmijëve Rom”
Donator: UNICEF – Shqipëri
Partnerët në zbatimin e nismës:
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve (OCR),
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve të Shqipërisë (CRCA);
Shoqata e Grave të Reja Kristiane (YWCA)
Fusha e veprimit: Politikat për zhvillimin e fëmijërisë së hershme dhe përgjegjësia e qeverive lokale.
Miratimi i Dokumentit te Politikave Vendore Bashkia Roskovec
Nisma “Çdo fëmijë Rom në kopsht”
Nisma “Çdo fëmijë rom në kopsht: Ndërtimi i rrjeteve të advokimit dhe praktikave të suksesshme të integrimit të fëmijëve Romë “ synon të mbështesë rrjetet lokale për advokim bazuar në zhvillimin e hershëm të fëmijëve romë. Kjo nismë do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet sociale (punonjës socialë) dhe institucionet e tjera që ofrojnë kujdes dhe mbrojtje për fëmijët, OJF-të dhe partnerë të tjerë socialë.
Sigurimi se fëmijët romë dhe jo-romë kanë akses dhe shanse për një fillim të barabartë në jetë është një nga pikat e bashkëpunimit të ngritur ndërmjet UNICEF dhe Qeverisë Shqiptare. Me gjithë programet dhe nismat e ndërmarra, kushtet e jetesës së familjeve dhe fëmijëve romë vazhdojnë të jenë në kushte tejet të vështira, krahasuar kjo me pjesën më të madhe të popullsisë.
Kjo nismë është dizenjuar për të mundësuar një informim periodik, të dhëna dhe mbledhje dëshmish, shkëmbim i praktikave më të mira, mangësitë e identifikuara dhe analizuara në zbatimin e politikave për përfshirjen e romëve, – e cila do të rezultojë në hartimin e praktikave lokale, si një çelës i domosdoshëm për përmirësimin e jetesës së këtyre familjeve të varfra.
Kjo nismë do të konsistojë në:
- Lehtësimin dhe nxitjen e aleancave me autoritetet lokale dhe grupet e romëve për përfshirjen në arsimin parashkollor të fëmijëve romë;
- Mbledhjen e vazhdueshme të të dhënave / dëshmive / praktikave të mira dhe identifikimin e boshllëqeve në zbatimin e politikave për fëmijët romë (bazuar në një protokoll të unifikuar për të mbledhur të dhëna dhe dëshmi);
- Përgatitjen e raporteve periodike monitoruese dhe advokimin për ndryshim për një mbështetje të përfshirjes së fëmijëve romë në kopshte;
Nëpërmjet kësaj nisme, do të zbatohen një seri veprimtarish drejtuar rolit, funksionit dhe detyrave të institucioneve lokale në lidhje me çështjen e përfshirjes së hershme sociale të fëmijëve romë në lokalitetin e tyre. Këto aksione do të gërshetohen me detyrat që kanë aktorët e Institucioneve shtetërore dhe ato të shoqërisë civile. Kjo do të realizohet duke mbledhur të dhëna dhe raste, duke zgjidhur rastet dhe shkëmbyer praktikat më të mira të fituara, duke identifikuar boshllëqet dhe gjetur zgjidhjen e duhur brenda roleve dhe detyrave të aktorëve lokal.
Organizatat partnere do të angazhohen në zbatimin e kësaj nisme duke monitoruar dhe zhvilluar praktikat më të mira për përfshirjen e hershme të fëmijëve rom në çdo vendbanim ku ata jetojnë, duke mbuluar të 12 Qarqet e Shqipërisë. Këto organizata do të bashkërendojnë punën me njëra – tjetrën, duke ngritur pikat e tyre të kontaktit, përkatësisht në qarqet:
– Observatori për të Drejtat e Fëmijëve: Dibër, Kukës, Fier, Vlorë dhe Tirana Rurale
– Qendra për të Drejtat e Fëmijëve të Shqipërisë: Elbasani, Korça, Gjirokastra dhe Tirana Urbane
– Shoqata e Grave të Reja Kristiane: Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Berat
Angazhimet kryesore të këtij projekti janë:
– Ngritja e kontakteve lokale nëpërmjet organizimit të takimeve me aktorët në qarqe dhe vendbanimet lokale, ku jeton komuniteti rom .
– Identifikimi i aktorëve lokalë që punojnë për përfshirjen e hershme të fëmijëve Romë;
– Trajnimi i stafit të projektit për të gjitha organizatat;
– Mbështetja e Sekretariatit Teknik Rom;
– Mbledhja e rasteve dhe praktikave më të mira dhe monitorimi i tyre përgjatë zbatimit të projektit;
– Hartëzimi i institucioneve (lokale dhe qendrore) të cilat ofrojnë shërbime për fëmijët romë;
– Organizimi i workshopeve rajonale në 12 rajonet e Shqipërisë;
– Përgatitja e raporteve periodike të monitorimit të veprimit për regjistrimin e fëmijëve Romë në kopshte;
– Ndërtimi i një dialogu me krerët e komunave / bashkive / DAR / shërbimeve shoqërore rajonale / familjeve rome / shërbimeve shëndetësore rajonale dhe ato lokale.
– Ndjekja e regjistrimit të fëmijëve romë në kopshte dhe monitorimi i vazhdueshëm i tyre;
– Dhënia e 3 (tre) çmimeve për “Qeveritë më të mira lokale” dhe 3 (tre) çmime për “punonjësit më të mirë” (shëndetësor / social / NJDF, etj.). Synimi i këtyre çmimeve është që të nxisë Institucionet lokale përgjegjëse dhe punonjësit për një lehtësim dhe garantim të proçesit të përfshirjes së fëmijëve romë në kopshte.
– Ndërtimi i një baze të dhënash të unifikuar dhe një platforme për të regjistruar dhe pasqyruar të gjitha të dhënat e mbledhura nga kjo nismë. Kky sistem do të përfshijë dhe të dhënat e marra nga njësitë vendore (bashkitë/ komunat /administratorët socialë).
– Përgatitja e një raporti analitik të konsoliduar mbi përfshirjen e hershme të romëve në arsimin parauniversitar dhe realizimi i akseseve në shërbime të tjera.
– Publikimi dhe lançimi i raportit të studimit.
Fact-sheet për këtë nismë mund ta gjeni këtu (PDF 3.51 MB)