Suzana Sakiqi

Suzana Sakiqi

Të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijës, tashmë janë pjesë e shumë programeve kombëtare dhe lokale. Kur shikojmë rrugën e gjatë 20 vjeçare nëpër të cilën janë ndërmarrë dhe ndërtuar shumë nisma, janë realizuar veprimtari dhe aktivitete edukuese, janë prezantuar praktika të reja, – evidentohet se Znj. Suzana Sakiqi është një ndër aktoret promotore që ka kontribuar në këtë proces dinamik zhvillimi të të drejtave të fëmijëve në vend.Idealizmi i kontributit dhe punës së realizuar nga Znj. Suzana, na prek të gjithëve sot kur ajo ndahet nga jeta, – por na jep force dhe besim për të vazhduar me tej.

Sot, Shqipëria vlerësohet për aspektin ligjor të respektimit të të drejtave të fëmijëve, ku puna dhe kontributi i Znj. Suzana ishte pjesë e punës së madhe nxitëse dhe debatuese që realizuan segmente të shoqërisë civile shqiptare për vite me radhë. Pjesë e suksesit të prezantimi të ligjit për të drejtat e fëmijëve në vitin 2010, është dhe ngritja dhe fuqizimi i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, ku Znj. Suzana ishte anëtare në përfaqësim të interesave të shoqërisë civile në vend.

Për një zbatim sa më të plotë dhe në garantim të të drejtave të fëmijës, Shqipëria harton raporte monitorimi në zbatim të Konventës për të Drejtat e fëmijës. Roli i çdo aktori të shoqërisë civile shqiptare në këtë proces realizimi të raportit alternativ të Shqipërisë, në vitin 2008-2009, arriti të prezantohej në arenën ndërkombëtare falë punës dhe përkushtimi të Znj. Suzana. Përkushtimi dhe këmbëngulja e Znj. Suzana bënë të mundur realizimin e një raporti alternative profesional dhe gjithëpërfshirës, duke e prezantuar shoqërinë civile Shqiptare me profesionalizëm dhe dinjitet në Komitetin Ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve në Gjenevë.

Znj. Suzana, me dashurinë dhe përkushtimin e pa fund, për të kontribuar në dobi të çështjes së fëmijëve në nevojë, ka ndërtuar dhe drejtuar me ekspertizën dhe profesionalizmin e saj të gjithë procesin e realizuar në vend për shërbimin e kujdestarisë së fëmijëve në nevojë dhe pa kujdes prindëror. Strategjia dhe politikat e hartuara në zbatim të kësaj nisme, janë një arritje e suksesshme e vendit tonë, ku emri dhe kontributi i Znj. Suzana Sakiqi do të pjesa themelore dhe e paharruar e kësaj nisme.

Dashuria e Znj. Suzana për jetën, ëmbëlsia me të cilin fliste dhe komunikonte, profesionalizmi dhe përkushtimi i saj i kanë dhënë dinamizëm dhe energji angazhimeve të “Aleancës për Fëmijët në Shqipëri”, që në themelimin e saj. Dëshira dhe pasioni i saj kanë qenë forcë drejtuese në ngritjen e nismave të reja dhe fuqizimin e organizmave të shoqërisë civile në vend; Puna dhe arritjet e Znj. Suzana do të kujtohen si kontribute të vyera në dobi të kauzave të shoqërisë shqiptare civile.
I përjetshëm qoftë kujtimi i saj!

Vepra e Znj. Suzana do të kujtohet jo vetëm për kontributet e vyera të dhëna në dobi të garantimit të të drejtave të fëmijëve në vend, por dhe për dashurinë që Zana kishte për jetën dhe njerëzit. Kuraja me të cilin Zana i përkushtohej çdo ditë sfidave, dashuria dhe vëmendja për miqtë dhe kolegët e saj, – na bën që sot, nga humbja e saj, të vajtojmë në shpirt duke e kujtuar përjetë të qeshur dhe të devotshme për përballur sfidat e çdo dite.