Tryezë diskutimi, Drejtësi për të miturit

Tiranë, 16 Dhjetor 2016

Tryezë diskutimi mbi raportin “Me zërin e të miturve të privuar nga liria”

Avokati i Popullit, në bashkëpunim me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe UNICEF lancuan raportin “Me zërin e të miturve të privuar nga liria – Vlerësimi i kushteve dhe trajtimit në institucionet e ndalimit, paraburgimit dhe burgimit”.

Ky raport përfshin gjetjet dhe rekomandimet e monitorimeve të kryera përgjatë periudhës Gusht – Dhjetor 2016 në Komisariatet e Policisë së Tiranës, Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për të Mitur (IEVP) në Kavajë dhe në Shën Kollë (Lezhë).

Ky raport është përgatitur nga një grup specialistësh të fushës së të drejtave të njeriut, drejtësisë e sociologjisë dhe njohës të standarteve ndërkombëtare, përsa i përket drejtësisë për të miturit. Këta ekspertë, të cilët hartuan metodologjinë dhe pyetësorët, ndoqën punën në terren për realizimin e monitorimit, analizuan të dhënat dhe përgatitën raportin.

Disa prej gjetjeve dhe rekomandimeve

21 të mitur u intervistuan për qëllimet e këtij vlerësimi. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre i përkisnin grupmoshës 16 – 18 vjeç dhe pesë prej tyre grupmoshës 14-16.

  1. Vetëm shtatë fëmijë kishin përfunduar arsimin e detyruar, ç’ka përfaqëson vetëm një të tretën e popullsisë së kampionit. Ekziston një lidhje e fortë shkakësore midis mosndjekjes së shkollës dhe konfliktit me ligjin në mesin e popullatës të mitur në Shqipëri.
  2. Në shumicën e rasteve të fëmijëve të intervistuar, në ambientin familjar ishin të pranishëm të dy prindërit dhe ata ishin siguruesit e të ardhurave. Niveli i lartë i varfërisë ndërthurur me mungesën e mundësive të prindërve për të qënë më të përfshirë në rritjen e fëmijëve, ishin faktorë që dolën në pah gjatë intervistës si shkaqe për sjelljen delinkuente.
  3. Institucioni i Kavajës duket të jetë i pajisur me një numër të madh personeli; raporti staf – të mitur në burgim ishte dy me një, gjatë kohës së vizitës.
  4. Stafi i IEVP Lezhës është i nënpërfaqësuar në këtë institucion dhe nuk mund t’i përgjigjej me efektivitet nevojave të personave që kryejnë dënimin, ku janë rreth 700 individë.
  5. Pesëmbëdhjetë prej të intervistuarve deklaruan se ishin informuar për të drejtat e tyre në momentin e arrestimit.
  6. Me përjashtim të një rasti, të intervistuarve u ishte dhënë edhe informacion dhe kontroll mjekësor.
  7. Të intervistuarit nuk ishin në gjendje të kuptonin dhe të diskutonin në lidhje me kujdesin e veçantë psikologjik për të miturit në këtë Institucion.
  8. Ka mungesë të periodizimit të ekzaminimit mjekësor të popullatës së të miturve të burgosur.
  9. Rreth gjysma e të të intervistuarve qëndronin në ambiente të përbashkëta.
  10. Në institucionet e IEVP të monitoruara, ka dyshekë dhe tesha shtrati, por nuk sigurohen veshje të përshtatshme për të dënuarit. Në institucionin e Kavajës veshjet dhurohen nga shoqëria civile dhe organizatat e ndihmës.
  11. Gjysma e të të intervistuarve u përgjigjën pozitivisht në lidhje me mundësinë e ndjekjes së arsimit brenda institucionit të siguruar nga IEVP; ndërkohë vihej re se mungonte stafi i kualifikuar mësimor për të zbatuar kurset e arsimit të detyrueshëm dhe formimit profesional.
  12. 9 fëmijë pohuan se ishin lënduar, nga të cilët 4 në komisariatin e policisë.
  13. U raportua abuzim, i cili në një rast edhe ishte raportuar.
  14. Keqtrajtimi ishte i dukshëm gjatë vizitave monitoruese në ambientin e Shën Kollit.
  15. Stafi i institucionit të IEVP Kavajës ishte trajnuar nga UNICEF Shqipëri dhe Save the Children për marredhëniet me fëmijët.
  16. Nuk kishte raportime të dënimeve mizore, çnjerëzor ose poshtërues.
  17. Gjashtëmbëdhjetë prej të të intervistuarve pohuan se kishin marrëdhënie të mira me të tjerët.
  18. Të intervistuarit kishin gjithashtu vizita të rregullta me familjen (javore ose mujore). Ata kishin po ashtu qasje tek informacionet përmes telefonit (20) dhe televizorit (14).
  19. Shërbimet ligjore nuk ofrohen falas nga institucioni i burgosjes.