18 Shtator 2015

Në kuadër të nismës “Çdo fëmijë Rom në kopsht” e zbatuar nga 3 organizata partnere: Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA dhe YWCA- është monitoruar proçesi i shpërndarjes së teksteve shkollorë për fëmijët e komunitetit Rom dhe Egjiptian në 12 qarqet e Shqipërisë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit në funksion të lehtësimit të këtij proçesi ka nxjerrë:

– Udhëzimin e Përbashkët Nr 21 “Për shitjen e teksteve të arsimit parauniversitar”;

– VKM nr. 707, datë 28.08.2015 botuar në Fletoren Zyrtare, për tekstet falas për fëmijët Egjiptianë.

Megjithatë dukuria e shpërndarjes së teksteve falas paraqitet e ndryshme në zonat ku jeton ky komunitet. Observatori për të Drejtat e Fëmijëve ka grumbulluar informacion në qarqet: Dibër, Kukës, Fier, Vlorë dhe Tiranë. Informacionet mbi qarqet e tjera mund t’i gjeni te organizatat CRCA dhe YWCA.

Zonat e Organizatës Observatori për të Drejtat e Fëmijëve:

  1. Qarku Dibër

Në fillim te procesit u has pak vështirësi, pasi familja Rome së cilës i’u siguruan libra falas nuk ishte e rregjistruar në gjendjen civile të Peshkopisë, por me bashkëpunim me drejtorinë e shkollës dhe inspektoren e DAR kjo gjë u zgjidh.

  1. Qarku Kukës

Drejtuesit e shkollave kanë lehtësuar këtë proçes dhe çdo gjë ka shkuar shumë mirë.

  1. Qarku Fier

Ka filluar proçesi i shpërndarjes së librave falas për komunitetin Rom dhe Egjiptian.

Megjithatë në disa shkolla si në Roskovec dhe Zhupan (njësia administrative Qendër Fier) nuk ka mjaftueshëm libra për fëmijët e komunitetit Rom.

– Disa libra që janë sjellë nga distributorët në fillim (që kanë qenë shumë të pakët në numër) drejtore e shkollës i’a ka shpërndarë mësueseve të klasave të ndryshme, të cilët i kanë shpërndarë tek fëmijët Rom.

-Një problem tjetër lidhet me faktin që fëmijët Rom për të tërhequr këto libra duhet të paraqesin certifikatën familjare dhe personale, që në të shumtën e rasteve nuk e kanë (mospagim i taksave në bashki), për rrjedhojë ata nuk mund të terheqin dot librat. Në shkollën e Zhupanit janë rreth 70 fëmijë Rom që duan të shkojnë në ciklet e ndryshme të shkollës, por deri më tani një pjesë shumë e vogël e tyre kanë marrë libra.

-Librat për këtë komunitet jepen falas.

-Drejtoret e shkollave shkojnë vetë dhe interesohen për sasinë e librave që duan tek distributorët e librave në qytet.

– Kjo dukuri është e njëjtë në zona të ndryshme të Fierit.

  1. Qarku Vlorë

U evidentuan 73 raste të fëmijëve Rom, Egjiptian dhe me probleme socio-ekonomike dhe u përgatit një listë me të dhënat përkatëse;

Kjo listë është nisur nga bashkia Vlorë më dt 9 shtator, e nënshkruar nga nënkryetari i bashkisë Vlorë (në mungesë të kryetarit);

– Kjo listë është dërguar gjithashtu edhe elektronikisht tek DAR Vlorë;

– Të gjithë prindërit janë informuar për proçedurën e pajisjes me libra pranë shkollave.

Drejtuesit e shkollave janë shprehur se nuk kanë marrë dhe nuk janë në dijeni të udhëzimit për pajisjen me libra falas, dhe ky është përdorur si argument për pengimin e këtij proçesi.

– Observatori së bashku me organizatat e tjera, kanë bashkëpunuar me organizatat Rome dhe Egjiptiane për të marrë vërtetime se cilit komunitet i përkasin fëmijët, dhe u orjentuan prindërit ku mund t’i gjejnë këto vërtetime.

– Një problem i tillë i mospajisjes me tekste shkollore është reflektuar edhe në një kronikë tek ABC News.

– Për këtë problem është komunikuar me punonjës të MAS, nga të cilët është marrë Udhëzimi i Përbashkët Nr 21 “Për shitjen e teksteve të arsimit parauniversitar” si edhe VKM nr. 707, datë 28.08.2015 botuar në Fletoren zyrtare, për tekstet falas për fëmijët Egjiptianë.

  1. Qarku Tiranë[1]

Janë evidentuar disa probleme dhe vonesa për shkak të kërkesës për pajisje me vërtetime. Ka pasur vonesa nga ana e shtëpive botuese në shpërndarjen e librave, në shkollën “Niko Hoxha” Valias ku deri të premten datë 11 Shtator 2015 ora 1200 nuk kishin ardhur akoma librat. Tek shkolla “Siri kodra” deri në datë 14 Shtator 2015 ora 1300 nuk kishin ardhur librat në shkollë.

Në lidhje me pajisjen me libra falas për  fëmijët Rom dhe Egjiptian, kjo bëhet me anë të një vërtetimi që e kërkojnë disa shkolla. Shkollat e pyetura që kërkojnë vërtetim janë: “Androkli Kostallari”, Mysline Kokallari, “Bajram Curri” dhe tek kjo e fundit këtë vit kërkohej dhe nje kontribut nga prindërit në vlerën 550 lekë ALL për nevojat që ka shkolla, kryesisht për rregullime ambjenti dhe mirëmbajtje.

Në shkollat “Siri Kodra dhe “Niko Hoxha ” vetë drejtoria e shkollës ka një listë fëmijësh që përfitojnë librat falas.

Shkolla Gjergj Fishta

Situata e shpërndarjes se librave në shkollën Gjergj Fishta ka marrë zgjidhje ku jane pajisur të gjithë fëmijët e komunitetit Rom me libra, duke përjashtuar vetëm 4 fëmijë të cilët janë në klasën e dytë dhe në mungesë të librave nuk janë pajisur me to. (Kjo situatë në këtë shkollë ka marrë zgjidhje sepse para tre ditëve, Fiks Fare e kishte trajtuar si çështje dhe kishte marrë pikërisht si shembull, shkollën Gjergj Fishta).

Shkolla 28 Nëntori dhe Ahmet Gashi (Laprakë)

Në të dyja këto shkolla shpërndarja e librave ka vijuar pa problem, dhe nga drejtuesit e shkollave është komunikuar se është pajisur me libra çdo fëmijë i komunitetit Rom. Në shkollën “28 Nëntori” librat nga familjet e komunitetit Rom janë blerë dhe me pas janë rimbursuar nga shkolla.

Shkolla Kolë Jakova dhe shkolla Yzberisht

Gjendja në këto dy shkolla vijon të jetë po e njëjtë, ku janë shumë fëmijë, madje dhe të klasës së parë të cilët janë të papajisur me libra dhe mësuesit insistojnë për të mos i futur fëmijët në orën e mësimit.

Shkolla 7-Marsi dhe Lidhja e Prizrenit

Nuk janë shpërndarë librat për fëmijët e komunitetit Rom, ndërkohë që për fëmijët e tjerë shitja vazhdon.

[1] Në zonat ku jeton komuniteti Rom në Tiranë, vepron CRCA dhe Observatori.