Diskutime dhe debate mbi realitetin shqiptar të martesave nën moshë dhe domosdoshmëria për ndërhyrje…”

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në partneritet me Fondin Kanadez për Nismat Vendore organizuan konferencën mbi realitetin shqiptar të martesave nën moshë duke theksuar domosdoshmërinë për ndërhyrje. Problemet dhe vështirësitë që mbart një vajzë– grua dhe një familje (e krijuar nga ajo), ishin pjesë e çdo deklarate të mbajtur nga përfaqësues të lartë të Ministrive, ashtu dhe nga çdo panelist dhe pjesëmarrës në këtë konferencë.

Studime që trajtojnë këtë problem shoqërorë të vajzave dhe grave dhe nisma për ndërgjegjësim për parandalim të martesave nën moshë në nivel vendor dhe kombëtar, mund të konsiderohet risi dhe progres në vende si Shqipëria, në të cilën ky fenomen i ka rrënjët e shtrira thellë në histori dhe të ushqyera rishtazi nga faktorë socialë mjaft dinamikë. Nga kërkime rajonale dhe globale, një fokus i veçantë i vihet pasojave të martesës nën moshë të lidhura me: mirëqenien fizike dhe emocionale, të drejtën për edukim dhe zhvillim (personal, profesional dhe ekonomik) dhe trajtimi i tyre në këtë studim paraqet një rëndësi të veçantë për kontekstin shqiptar.

Në kuadrin e KDF[1] dhe CEDAW[2] Shqipërisë i është kërkuar, të marrë në konsideratë çështjen e martesave të hershme dhe të raportojë mbi të. Ndërthurja dhe intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta mbi martesat e hershme në kontekstin shqiptar është nje nevojë imediate.

Nga diskutimet dhe debatet e realizuara Ministritë shprehën gadishmërinë e bashkëpunimit të ardhshëm për të minimizuar martesat nën moshë nëpërmjet:

  • Rolit më të madh të NjMF-ve dhe NJDF-ve në ndjekjen e rasteve;
  • Mbështetje të vajzave-nëna me programe të veçanta sociale;
  • Punë individuale me vajzat-nëna;
  • Krijimi i lehtësirave në aspektin ligjor;
  • Realizimin e një studimi kombëtar duke përfshirë edhe zona në veri të Shqipërisë;
  • Ofrimi i disa shërbimeve të veçanta për të rinjtë;
  • Fenomeni i martesave të hershme dhe pasojat që sjell duhet trajtuar si një çështje e karakterit ndërsektorial.

Aspektet e shumta të martesës nën moshë si në drejtim të reduktimit të shfaqjes dhe në drejtim të adresimit të pasojave përbën një proces dhënie- dhe- marrjeje mes aktorëve të ndryshëm, duke përfshirë Qeverinë e Shqipërisë dhe institucionet vartëse, pushtetit vendor si zbatues dhe mbështetës të politikave, të komunitetit të donatorëve të interesuar në çështjet që lidhen me martesat nën moshë, mediave, komunitetit në nivel lokal, si dhe të shoqërisë civile.

Ne jemi të bindur dhe të frymëzuar që bashkëpunimi efektiv ndërmjet aktorëve të sipërpërmendur do të ofrojë një mjedisi shoqëror në të cilin vajzat janë fuqizuar që të kenë një zë më të fortë dhe për të marrë drejtimin e jetës së tyre – “për të shijuar vajzërinë përpara të qenit nuse!”

                   Ekipi i punës

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve

[1]Konventa për të Drejtat e Fëmijës

[2]Konventa për Eleminimin e të gjithë formave të Diskriminimit ndaj Gruas