22 Shtator 2015

• Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 14 Shtator 2015 – Qershor 2016, zyra e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve e përfaqësuar nga 12 zyra në të gjitha rajonet e Shqipërisë, duke vlerësuar ecurinë dhe angazhimin e institucioneve arsimore për fillimin e vitit të ri shkollor, evidenton disa çështje që kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje nga Institucione lokale dhe kombëtare, në funksion të përmbushjes së të drejtës së çdo fëmije për t’u arsimuar:
a) Të mundësohet pajisja me çertifikata personale, si një mjet i domosdoshëm për rregjistrimin e tyre në ciklet shkollore, për të gjithë fëmijët, familjet e të cilëve nuk kanë paguar taksat e tokës, ku ky problem ndeshet më së shumti në Qarkun Fier, njësinë administrative Mbrostar/ Ura (ku janë identifikuar 15 fëmijë me këtë problematikë para fillimit të shkollës).

b) Të lehtësohet proçesi i rregjistrimit të fëmijëve të parregjistruar rnë gjendjen civile, nëpërmjet një vërtetimi që fëmija është në proçes rregjistrimi nga shërbimet e ndryshme ligjore në funksion të qytetarëve.
c) Të intensifikohen takimet në komunitet me familjarët për ndërgjegjësimin e tyre që t’i vaksinojnë rregullisht fëmijët, si një çështje thelbësore për integrimin e tyre në të gjitha ciklet e shkollës.
d) Të krijohen lehtësira për kuotën/ shumën monetare që duhet të paguajnë familjarët për rregjistrimin e fëmijëve të tyre në arsimin parashkollor, për familjet e varfra ose në kushte ekstreme, si dhe grupeve të tjera vulnerabël (aftësia e kufizuar, të pakicave, etj), ku burimet e tyre financiare janë tepër të limituara.
e) Të riciklohen tekstet e përdorura për fëmijët që vijnë nga familje të varfëra dhe në pamundësi ekonomike.
f) Të krijohen lehtësira për shkollat në zona të largëta/ të thella, në infrastrukturë dhe transport për rritjen e shkallës së frekuentimit të cikleve arsimore nga fëmijët, dhe në zbatim të Vendimit për përdorimin e Fondeve publike për transportimin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënwsve që mësojnë jashtë vendbanimit.
g) Të reduktohet numri i fëmijëve për klasë duke e përshtatur me dëndësinë që duhet të zërë një fëmijë në klasë, në zbatim të standartit dhe në funksion të rritjes së shkallës së frekuentimit të shkollës dhe uljes së braktisjes së saj:
– 1.2 m2 për fëmijë në arsimin parashkollor,
– 1.4 m2 për fëmijë në arsimin e detyruar dhe
– 1.5 m2 për fëmijë në arsimin e mesëm.
h) Të përqëndrohen ndërhyrjet në përmirësimin e frekuentimit të arsimit të vajzave të moshës së arsimit të detyruar, në familjet dhe zonat në të cilat shfaqet më tepër dukuria e braktisjes së shkollës rreth moshës 12 vjeçare.
i) Në garantim të të drejtave të cdo fëmije, të kihet në konsideratë trajtimi i barabartë dhe profesional me cdo fëmijë, pavarësisht përkatësisë etnike, – nëpërmjet ndërgjegjësimeve dhe komunikimeve periodike me familjarët dhe stafet e Institucioneve lokale edukuese, shëndetësore, sociale dhe politikbërëse.
j) Të lehtësohet proçesi i përshtatjes së fëmijëve të emigrantëve të kthyer në Shqipëri, me lëndët dhe programin që kanë përfituar më parë, kryesisht në rajonin Jugor të Shqipërisë.