Event prezantues i raportit mbi martesat nën moshë

Tiranë, 10 Mars 2017

Observatori në partneritet me Fondin Kanadez për Iniciativat Lokale (CFLI), realizuan takimin prezantues të raportit mbi aspektet ligjore, praktikën gjyqësore dhe çështjet sociale të martesave nën moshë në Korçë dhe Pogradec për periudhën 2011 – 2016.

Observatori me mbështetjen e CFLI ka zbatuar nismën “Parandalimi i martesave të hershme në fuqizimin e mekanizmave ligjore dhe perceptimeve sociale, si një mjet për fuqizimin e grave dhe vajzave (PARANDALIM)”. Projekti është zbatuar nga Observatori përmes “monitorimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec për periudhën 2011 – 2016” dhe studimit të këtyre rasteve.

Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe kombëtare, ministrive të ndryshme dhe institucioneve vartëse qendrore dhe lokale së bashku me OJF-të që veprojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve me qëllim përmirësimin e vendimeve gjyqësore për garantimin e interesit më të lartë të fëmijës.

Disa nga Rekomandimet ligjore dhe praktikën gjyqësore të Raportit vlerësues janë:

  • Për gjykatën, mbajtja në vëmendje e interesit të të miturit, duhet të jetë konsiderata kryesore dhe ky kujdes i veçantë nevojitet të pasqyrohet në mënyrë sa më të qartë përmes analizës konkrete sipas rastit, në përmbajtjen e vendimit.
  • Vetëm i mituri që kërkon të lidhë martesë nën moshë është ai që legjitimohet aktivisht në bërjen e kërkesës.
  • Parim shumë i rëndësishëm që duhet të mbahet nën kontroll nga ana e gjykatës është autonomia e vullnetit të të miturit/ës që kërkon leje për lidhjen e martesës nën moshë. Për të vlerësuar këtë vullnet, i mituri duhet të jetë prezent personalisht gjatë gjithë procesit. Gjykata duhet të garantojë të drejtën e të miturit për t’u dëgjuar dhe informuar, gjykata të mbajë në vëmendje se sa më e vogël mosha aq më lehtë manipulimi i të miturit në lidhjen e martesës pa pëlqimin e lirë.
  • Marrja e mendimit të psikologut lidhur me anën psikologjike, pëlqimin e lirë dhe situatën sociale është një detyrim ligjor dhe ndihmesë e madhe për gjykatën që të japë një vendim të drejtë dhe të gjykojë mbi rëndësinë e shkaqeve dhe bazueshmërinë e tyre si dhe pjekurinë fiziko-psikike duke e bërë këtë verifikim edhe përmes psikologut
  • Gjykata nevojitet të mbajë në vëmendje se të miturat me gjendje të vështirë ekonomike janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të martesave fiktive apo premtimeve për martesë që përfundojnë në shfrytëzim për prostitucion, trafikim ose çdo lloj forme tjetër shfrytëzimi.
  • Në këndvështrimin e legjislacionit, ende ka vend për përmirësime përsa i përket legjitimimit aktiv të të miturës dhe përcaktimit të një moshe minimum nën të cilën nuk mund të lejohet për asnjë arsye martesa nën moshë. Gjithashtu, shumë nga sugjerimet e përfshira në këtë dokument, mund të shoqërohen edhe me përmirësime ligjore. Mbetet ende me rëndësi përqasja me standardet ndërkombëtare të cituara në raport.

Problemet dhe çështjet që shoqërojnë martesat nën moshë, kërkojnë një analizë të thelluar të kësaj situate në të gjithë vendin.

Një ndërhyrje adekuate dhe produktive në këtë drejtim lidhet me bashkimin e ndërhyrjeve dhe përpjekjet për të përmirësuar gjëndjen e grave të martuara nën moshë, duke sjellë sëbashku politikë-bërësit, strukturat shtetërore në zbatimin e ligjeve që lidhen me martesën, organizatat e shoqërisë civile, donatorët, shkollat dhe komunitetin në të cilin ato jetojnë.

Le t’u japim këtyre vajzave një zë dhe t’i lëmë ato të kenë një fëmijëri të shëndetshme dhe me dinjitet!