Njoftim për Publikim

Tiranë, më 19 Maj 2017

Njoftim për Publikim

“Observatori për të Drejtat e Fëmijëve” fton të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbime  publikimi për artikujt e specifikuar si më poshtë:

Ligjin për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijës

  • Printim të versionit shqip të ligjit në formatin A5 në 5000 kopje
  • Printim të versionit shqip të ligjit në formatin A6 në 5000 kopje
  • Printim të versionit anglisht të ligjit në formatin A5 në 200 kopje

Fondi limit është rreth 754000 lekë (të reja).

Operatorët ekonomikë që do të shprehin interesin duhet të plotësojnë kriterin e mëposhtme:

  • Të ketë lincesë për kryerjen e një aktiviteti të tillë

Observatori për të drejtat e fëmijëve, është i interesuar që ky shërbim t’i ofrohet me cilësi dhe në afat.

Personat fizik dhe/ose juridik të interesuar duhet të paraqesin ofertën teknike ekonomike nga data 19 Maj- 24 Maj 2017 (dorazi ose me postë) në adresën:

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve

Bulevardi “Bajram Curri”, Pallatet “Agimi” (Prapa Kafe Roma)

Shk.5, Ap. 81, Tiranë – Shqipëri

Tel: 042 258 987

e-mail: info@observator.org.al

Kjo thirrje do të qëndrojë e hapur që nga data e bërjes publike (19 Maj 2017) e deri në mbylljen e saj (24 Maj 2017). Personat fizik dhe/ose juridik që plotësojnë kriteret do të jenë pjesë e vlerësimit.

Në pritje të 1 Qershorit 2017…. #UneMbrojfemijet#InvestojmePerFemijet

Në pritje të 1 Qershorit 2017…. #UneMbrojfemijet#InvestojmePerFemijet
Çmimi “Punonjësi i vitit për mbrojtjen e fëmijëve” dhe
“Organizata e vitit për Mbrojtjen e fëmijëve”

Ky çmim ka si qëllim të vlerësojë kontributin e jashtëzakonshëm që individë apo organizata japin për fëmijët, në mënyrë që ata të jetojnë të mbrojtur nga cdo formë e dhunës – duke promovuar shëmbuj pozitivë dhe frymëzues.

Çmimi do të jepet çdo vit më 1 Qershor, duke shënuar kështu fillimin e një tradite vjetore.

Kriteret për Çmimin “PROFESIONISTI i VITIT PËR MBROJTJEN E FËMIJËS”

1. Të jetë punonjës i njësisë së mbrojtjes së fëmijëve dhe të ketë me shumë se 5 vite eksperience pune.
2. Të ketë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, abuzimi, neglizhimi apo shfrytezimi duke sjellë ndryshime në jetën e femijëve dhe familjeve.
3. Të ketë menaxhuar një numër të konsiderueshëm rastesh, duke zbatuar në mënyrë cilësore procedurat e menaxhimit të rastit.
4. Të jetë aktiv dhe të ketë bashkëpunuar me aktorë të sektorëve të ndryshëm publik, privat, donatorë, OJF dhe komunitetin për ndërgjegjësimin e publikut përsa i përket çështjeve të mbrojtje së fëmijëve.

Kriteret për Çmimin “OJF E VITIT PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE” (organizatë jo-fitimprurëse)
1. Të jetë OJF e regjistruar në Republikën e Shqipërisë prej më shumë se 5 vitesh.
2. Të ketë në fokus të punës të drejtat e fëmijëve dhe të jetë shquar në punën për mbrojtje të fëmijëve nga abuzimi, shfrytëzimi, dhuna, apo neglizhimi.
3. Të ketë ofruar mbështetje për komunitetin dhe të ketë kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve publike dhe/ose ofruesve të shërbimeve për fëmijë.

Çmimi do të jetë pjesëmarrje në një trajnim në nivel ndërkombëtar i ofruar nga Childhub.org .
Kandidaturat mund të propozohen në adresën elona.halilosmani@femijet.gov.al deri në datën 25 maj 2017. Propozimi duhet të përmbajë një argumentim të shkurtër (max 150 fjalë) mbi kandidaturën e propozuar. Kandidaturat do të vlerësohen dhe përzgjidhen nga Komisioni i Vlerësimit pranë MMSR.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Olta Xhacka
UNICEF Albania
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve / Observatory for Children’s Rights
Terre des hommes Albania

Event prezantues i raportit mbi martesat nën moshë

Tiranë, 10 Mars 2017

Observatori në partneritet me Fondin Kanadez për Iniciativat Lokale (CFLI), realizuan takimin prezantues të raportit mbi aspektet ligjore, praktikën gjyqësore dhe çështjet sociale të martesave nën moshë në Korçë dhe Pogradec për periudhën 2011 – 2016.

Observatori me mbështetjen e CFLI ka zbatuar nismën “Parandalimi i martesave të hershme në fuqizimin e mekanizmave ligjore dhe perceptimeve sociale, si një mjet për fuqizimin e grave dhe vajzave (PARANDALIM)”. Projekti është zbatuar nga Observatori përmes “monitorimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec për periudhën 2011 – 2016” dhe studimit të këtyre rasteve.

Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe kombëtare, ministrive të ndryshme dhe institucioneve vartëse qendrore dhe lokale së bashku me OJF-të që veprojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve me qëllim përmirësimin e vendimeve gjyqësore për garantimin e interesit më të lartë të fëmijës.

Disa nga Rekomandimet ligjore dhe praktikën gjyqësore të Raportit vlerësues janë:

  • Për gjykatën, mbajtja në vëmendje e interesit të të miturit, duhet të jetë konsiderata kryesore dhe ky kujdes i veçantë nevojitet të pasqyrohet në mënyrë sa më të qartë përmes analizës konkrete sipas rastit, në përmbajtjen e vendimit.
  • Vetëm i mituri që kërkon të lidhë martesë nën moshë është ai që legjitimohet aktivisht në bërjen e kërkesës.
  • Parim shumë i rëndësishëm që duhet të mbahet nën kontroll nga ana e gjykatës është autonomia e vullnetit të të miturit/ës që kërkon leje për lidhjen e martesës nën moshë. Për të vlerësuar këtë vullnet, i mituri duhet të jetë prezent personalisht gjatë gjithë procesit. Gjykata duhet të garantojë të drejtën e të miturit për t’u dëgjuar dhe informuar, gjykata të mbajë në vëmendje se sa më e vogël mosha aq më lehtë manipulimi i të miturit në lidhjen e martesës pa pëlqimin e lirë.
  • Marrja e mendimit të psikologut lidhur me anën psikologjike, pëlqimin e lirë dhe situatën sociale është një detyrim ligjor dhe ndihmesë e madhe për gjykatën që të japë një vendim të drejtë dhe të gjykojë mbi rëndësinë e shkaqeve dhe bazueshmërinë e tyre si dhe pjekurinë fiziko-psikike duke e bërë këtë verifikim edhe përmes psikologut
  • Gjykata nevojitet të mbajë në vëmendje se të miturat me gjendje të vështirë ekonomike janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të martesave fiktive apo premtimeve për martesë që përfundojnë në shfrytëzim për prostitucion, trafikim ose çdo lloj forme tjetër shfrytëzimi.
  • Në këndvështrimin e legjislacionit, ende ka vend për përmirësime përsa i përket legjitimimit aktiv të të miturës dhe përcaktimit të një moshe minimum nën të cilën nuk mund të lejohet për asnjë arsye martesa nën moshë. Gjithashtu, shumë nga sugjerimet e përfshira në këtë dokument, mund të shoqërohen edhe me përmirësime ligjore. Mbetet ende me rëndësi përqasja me standardet ndërkombëtare të cituara në raport.
  • Gjykata nevojitet të mbajë në vëmendje se të miturat me gjendje të vështirë ekonomike janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të martesave fiktive apo premtimeve për martesë që përfundojnë në shfrytëzim për prostitucion, trafikim ose çdo lloj forme tjetër shfrytëzimi.
  • Në këndvështrimin e legjislacionit, ende ka vend për përmirësime përsa i përket legjitimimit aktiv të të miturës dhe përcaktimit të një moshe minimum nën të cilën nuk mund të lejohet për asnjë arsye martesa nën moshë. Gjithashtu, shumë nga sugjerimet e përfshira në këtë dokument, mund të shoqërohen edhe me përmirësime ligjore. Mbetet ende me rëndësi përqasja me standardet ndërkombëtare të cituara në raport.

Problemet dhe çështjet që shoqërojnë martesat nën moshë, kërkojnë një analizë të thelluar të kësaj situate në të gjithë vendin.

Një ndërhyrje adekuate dhe produktive në këtë drejtim lidhet me bashkimin e ndërhyrjeve dhe përpjekjet për të përmirësuar gjëndjen e grave të martuara nën moshë, duke sjellë sëbashku politikë-bërësit, strukturat shtetërore në zbatimin e ligjeve që lidhen me martesën, organizatat e shoqërisë civile, donatorët, shkollat dhe komunitetin në të cilin ato jetojnë.

Le t’u japim këtyre vajzave një zë dhe t’i lëmë ato të kenë një fëmijëri të shëndetshme dhe me dinjitet!

Tryezë diskutimi, Drejtësi për të miturit

Tiranë, 16 Dhjetor 2016

Tryezë diskutimi mbi raportin “Me zërin e të miturve të privuar nga liria”

Avokati i Popullit, në bashkëpunim me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe UNICEF lancuan raportin “Me zërin e të miturve të privuar nga liria – Vlerësimi i kushteve dhe trajtimit në institucionet e ndalimit, paraburgimit dhe burgimit”.

Ky raport përfshin gjetjet dhe rekomandimet e monitorimeve të kryera përgjatë periudhës Gusht – Dhjetor 2016 në Komisariatet e Policisë së Tiranës, Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për të Mitur (IEVP) në Kavajë dhe në Shën Kollë (Lezhë).

Ky raport është përgatitur nga një grup specialistësh të fushës së të drejtave të njeriut, drejtësisë e sociologjisë dhe njohës të standarteve ndërkombëtare, përsa i përket drejtësisë për të miturit. Këta ekspertë, të cilët hartuan metodologjinë dhe pyetësorët, ndoqën punën në terren për realizimin e monitorimit, analizuan të dhënat dhe përgatitën raportin.

Disa prej gjetjeve dhe rekomandimeve

21 të mitur u intervistuan për qëllimet e këtij vlerësimi. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre i përkisnin grupmoshës 16 – 18 vjeç dhe pesë prej tyre grupmoshës 14-16.

  1. Vetëm shtatë fëmijë kishin përfunduar arsimin e detyruar, ç’ka përfaqëson vetëm një të tretën e popullsisë së kampionit. Ekziston një lidhje e fortë shkakësore midis mosndjekjes së shkollës dhe konfliktit me ligjin në mesin e popullatës të mitur në Shqipëri.
  2. Në shumicën e rasteve të fëmijëve të intervistuar, në ambientin familjar ishin të pranishëm të dy prindërit dhe ata ishin siguruesit e të ardhurave. Niveli i lartë i varfërisë ndërthurur me mungesën e mundësive të prindërve për të qënë më të përfshirë në rritjen e fëmijëve, ishin faktorë që dolën në pah gjatë intervistës si shkaqe për sjelljen delinkuente.
  3. Institucioni i Kavajës duket të jetë i pajisur me një numër të madh personeli; raporti staf – të mitur në burgim ishte dy me një, gjatë kohës së vizitës.
  4. Stafi i IEVP Lezhës është i nënpërfaqësuar në këtë institucion dhe nuk mund t’i përgjigjej me efektivitet nevojave të personave që kryejnë dënimin, ku janë rreth 700 individë.
  5. Pesëmbëdhjetë prej të intervistuarve deklaruan se ishin informuar për të drejtat e tyre në momentin e arrestimit.
  6. Me përjashtim të një rasti, të intervistuarve u ishte dhënë edhe informacion dhe kontroll mjekësor.
  7. Të intervistuarit nuk ishin në gjendje të kuptonin dhe të diskutonin në lidhje me kujdesin e veçantë psikologjik për të miturit në këtë Institucion.
  8. Ka mungesë të periodizimit të ekzaminimit mjekësor të popullatës së të miturve të burgosur.
  9. Rreth gjysma e të të intervistuarve qëndronin në ambiente të përbashkëta.
  10. Në institucionet e IEVP të monitoruara, ka dyshekë dhe tesha shtrati, por nuk sigurohen veshje të përshtatshme për të dënuarit. Në institucionin e Kavajës veshjet dhurohen nga shoqëria civile dhe organizatat e ndihmës.
  11. Gjysma e të të intervistuarve u përgjigjën pozitivisht në lidhje me mundësinë e ndjekjes së arsimit brenda institucionit të siguruar nga IEVP; ndërkohë vihej re se mungonte stafi i kualifikuar mësimor për të zbatuar kurset e arsimit të detyrueshëm dhe formimit profesional.
  12. 9 fëmijë pohuan se ishin lënduar, nga të cilët 4 në komisariatin e policisë.
  13. U raportua abuzim, i cili në një rast edhe ishte raportuar.
  14. Keqtrajtimi ishte i dukshëm gjatë vizitave monitoruese në ambientin e Shën Kollit.
  15. Stafi i institucionit të IEVP Kavajës ishte trajnuar nga UNICEF Shqipëri dhe Save the Children për marredhëniet me fëmijët.
  16. Nuk kishte raportime të dënimeve mizore, çnjerëzor ose poshtërues.
  17. Gjashtëmbëdhjetë prej të të intervistuarve pohuan se kishin marrëdhënie të mira me të tjerët.
  18. Të intervistuarit kishin gjithashtu vizita të rregullta me familjen (javore ose mujore). Ata kishin po ashtu qasje tek informacionet përmes telefonit (20) dhe televizorit (14).
  19. Shërbimet ligjore nuk ofrohen falas nga institucioni i burgosjes.

Workshop – Debat mbi të dhënat si parakusht i vendimmarrjes efektive për fëmijët

Tiranë, 15 nëntor 2016

Workshop dhe debat

Të dhënat parakusht i vendimmarrjes efektive për fëmijët

Më dt. 15 Nëntor u zhvillua Workshopi i Rajonit të Tiranës me temë “Të dhënat parakusht i vendimmarrjes efektive për fëmijët”. Ky Workshop u realizua në  zbatim të projektit “Mbështetja e Observatorit në planifikimin e politikave në bazë të të dhënave për fëmijët me fokus ndërhyrjet në nivel vendor” i cili zbatohet në partnership me UNICEF dhe në vijim të 11 Workshop-eve të realizuara nga Observatori në 11 Rajonet e Shqipërisë në kuadrin e këtij projekti. Në Workshop morën pjesë përfaqësues nga: Këshilli i Qarkut të Tiranës; Prefektura Tiranë; organet e qeverisjes vendore të bashkive Tiranë, Kavajë, Kamëz dhe Vorë; institucionet shtetërore në nivel rajonal dhe vendor të sektorëve të arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe policisë si DAR Qarku Tiranë, ZA-Kamëz, DSHP-Kavajë, ASHR-Tiranë, SHSSH Zyra Rajonale Tiranë e DR. Policisë Tiranë; përfaqësues i Komisionerit për të drejtën e informimit publik dhe mbrojtjen e të dhënave personale si edhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë direkt ose indirekt në fushën e të drejtave të fëmijëve. Pjesëmarrja nga gjithë këto aktorë dhe institucione është një vlerësim dhe mbështetje e punës dhe misionit që Observatori ka realizuar gjatë këtyre viteve.

Disa nga rezultatet e debatit me të pranishmit në takim janë si më poshtë:

  • Nevoja e unifikimit të treguesve nga institucionet shtetërore në mënyrë që të jenë të krahasueshme si brënda vendit edhe jashtë tij në raporte të ndryshme. Fillimisht u hodh ideja e unifikimit të një numri të vogël treguesish bashkimi i të cilëve është lehtësisht i zbatueshëm.
  • Proçesi i mbledhjes së të dhënave në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor për fëmijët për vetë gamën e gjërë të treguesve, është delikat dhe ka hasur vështirësi  përpos dëshirës së mirë për bashkëpunim nga ana e institucioneve dhe qeverisjes vendore. Gjithsesi ecuria e tij për periudhën 2009-2015 ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në viti gjë që tregon dhe një ndërgjegjësim në rritje të institucioneve në këtë drejtim.
  • Ndarja e re teritoriale në fakt shkakton një tkurrje sa i takon të dhënave pasi mbledhja e të dhënave shkon deri në nivel bashkie dhe jo më në nivel njësie administrative pjesë përbërëse të këtyre bashkive.

Nga përfaqësuesi i komisionerit për të drejtën e informimit publik dhe mbrojtjen e të dhënave u vu në dukje se, në bazë të ligjit në fuqi, të dhënat statistikore që nuk përbëjnë sekret shtetëror dhe nuk janë cilësuar vetëm për përdorim të brëndshëm institucionet shtetërore janë të detyruara të plotësojnë kërkesat e paraqitura nga organizatat ose individët brënda afateve të përcaktuara. Puna është më lehtë kur bashkëpunimi ndërmjet organizatave dhe institucioneve është i rregulluar me një marrëveshje ose memorandum dypalësh me të drejta dhe detyrime të përcaktuara qartë.befunky-collage

ÇDO FËMIJË NË SHKOLLË

Debat mbi zbatimin e Urdhrit Treministror “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor”

__________________________________________

“Fëmijët nuk e braktisin shkollën kur janë 16 vjeç, por e neglizhojnë atë që në klasë të parë dhe më pas presim 10 vjet për ta zyrtarizuar këtë braktisje”

(Bob Keeshan)

_______________________________________________

(Rasti i S.G. i tejkalon ekstremet, dhimbjen dhe varfërinë. Familja e përbërë nga 11 anëtarë jeton në kushte të mjerueshme në Durrës. S.G. pohon se të gjithë fëmijët pa përjashtim duan të shkojnë në shkollë, por arsyeja që e kanë braktisur atë është gjendja e vështirë ekonomike, si dhe fëmijët më të mëdhenj janë detyruar të kujdesen për më të vegjlit ndërkohë që prindërit merren me punë të ndryshme për të siguruar jetesën.

Aktualisht në shkollën Hasan Koçi në Shkozet (e cila është një nga 10 shkollat pilot të nismës “Çdo fëmijë në shkollë” në partneritet me UNICEF dhe zbatimin e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve), 2 nga vajzat e kësaj familje frekuentojnë klasën e dytë pas një pune të palodhshme nga drejtoria e shkollës. Me vëmendjen e UNICEF dhe Observatorit rasti është referuar dhe ndjekur në institucionet lokale të Durrësit. Pas pjesëmarrjes së stafit të shkollës në trajnime, workshope e aktivitete të nismës “Çdo fëmijë në shkollë” për parandalimin e braktisjes së shkollës, aktualisht vajzat frekuentojnë rregullisht shkollën duke shfaqur një interes dhe dëshirë të madhe. S.G. shprehet se kanë qenë mësuesit ata që shpesh here i kanë ushqyer në pamundësi për t’u kujdesur ajo.)

Filloi shkolla dhe të gjithë fëmijët duan ta ndjekin atë! Megjithatë pamundësia ekonomike, padituria e familjarëve, mungesa e ndjeshmërisë së investimit drejt një rruge që siguron të ardhmen janë disa prej faktorëve pengues në këtë rrugëtim. Për të plotësuar boshllëqet e krijuara ndër vite, shteti garanton arsimimin për çdo fëmijë. Në këtë kontekst, familjet duhet të jenë të ndjeshme për regjistrimin dhe frekuentimin e shkollës nga fëmijët e tyre që në ciklin “gjenezë” – në parashkollor.

Shkolla nuk është vetëm mekanizmi edukues, por edhe ndërlidhës e koordinues që bën të mundur regjistrimin e fëmijëve në shkollë dhe ndjekjen e saj në vazhdimësi. Mësuesit janë misionarët, të cilët, me vizionin dhe frymën e tyre, rrënjosin edukimin e nxënësve ndër breza. Në ndihmë të këtij misioni, aktorë shumë të rëndësishëm janë edhe bashkia / njësitë administrative, policia, qendrat shëndetësore etj.

Modeli i punës që harmonizon komunikimin e gjithë aktorëve në nivel vendor ndaj kauzës së regjistrimit në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor, është nisma “Çdo fëmijë në shkollë”. Kjo nismë, e pilotuar në Qarkun e Durrësit, realizohet në partneritet me UNICEF së bashku me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve, me vëmendjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe me mbështetjen e gjithë strukturave vendore. Qëllimi është identifikimi dhe regjistrimi në shkollë i të gjithë fëmijëve, pavarësisht faktit nëse kanë lindur ose jo në atë zonë, duke krijuar një mjedis të favorshëm jetese.

Në 5 janar 2015 u nënshkrua Urdhri i përbashkët i tri ministrive (U3M – MAS, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh)) “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor”, me qëllim koordinimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të mundësuar ndjekjen e shkollës nga çdo fëmijë rezidentë. Botimi i U3M në Fletoren Zyrtare gjendet në:

http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/202-2015.pdf

Në këtë kuadër, janë ndërmarrë një sërë hapash të rëndësishëm në drejtim të arsimimit të fëmijëve, si:

  • Ngritja e praktikës së punës për manualin e roleve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e U3M.
  • Praktika e trajnimeve ndërsektoriale ndërmjet stafeve të institucioneve shkollore dhe institucioneve vendore të cilat ngarkohen me përgjegjësi dhe role  nga nënshkrimi i U3M.
  • Guidat dhe udhëzimet për mentorimin e praktikave më të mira të shkollave për reduktimin e braktisjes shkollore dhe integrimin në shkollë të fëmijëve jashtë shkolle.
  • Praktika e trajnimeve të aktorëve brenda institucioneve arsimore të arsimit bazë për sigurimin e frekuentimit të rregullt dhe përfundimit të arsimit bazë nga çdo fëmijë.
  • Praktika e punës për nxjerrjen e të dhënave nga tregues ndërkombëtarë të sistemit arsimor.
  • Praktika e kryqëzimit të listave nga burime të ndryshme me qëllim evidentimin e fëmijëve jashtë shkolle.
  • Praktika e bashkëpunimit ndërinstitucional për intensifikimin e punës në drejtim të çështjes së fëmijëve jashtë shkolle.

Thirrja për arsimimin e fëmijëve u drejtohet të gjithëve: Arsimimi i çdo fëmije është një mision i përditshëm, realizimi i të cilit kërkon angazhimin dhe vëmendjen në kohë dhe efikasitetin e të gjithëve!

Trajnime dhe debate me përfaqësues të shkollave pilot- Maj 2016

Nisma “Çdo fëmijë në Shkollë” po realizohet nën  vëmendjen e MAS, falë mbështetjes së UNICEF dhe po zbatohet nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve. Kjo nismë ka filluar në vitin 2013 dhe ndiqet nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve nga viti 2014 e në vazhdim, me synim identifikimin dhe rregjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve në moshë të detyrimit shkollor si edhe parandalimin e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve që janë në rrezik braktisjeje. Nisma synon ngritjen e mekanizmave të mjaftueshme që çdo fëmijë i moshës së detyrimit shkollor të ndjekë shkollën 9-vjeçare.

Në kuadër të zbatimit të nismës, përgjatë 13, 14, 27 dhe 28 maj 2016 u zhvilluan trajnime (2 ditore) me 51 përfaqësues të shkollave pilot (drejtues, mësues dhe psikolog) në lidhje me qëllim ndërgjegjësimin dhe ndihmën e çdo institucioni arsimor dhe çdo pjesëtar komuniteti në sigurimin e regjistrimit të të gjithë fëmijëve në moshë shkollore në shkollë, të ndjekjes, të frekuentimit të rregullt, të gjithëpërfshirjes dhe të përfundimit të arsimit të detyruar.

 

Disa nga arritjet e debateve dhe trajnimeve të realizuara janë si më poshtë:

  • Informimi i stafeve pedagogjik, i stafit drejtues dhe i pjesëtarëve të komuniteteve shkollore për rolet dhe përgjegjësitë e tyre në evidentimin e rasteve të fëmijëve që nuk janë regjistruar ende në shkollë, të fëmijëve që nuk e frekuentojnë në mënyrë të rregullt  mësimin dhe të parandalimit të rasteve që rrezikojnë braktisjen shkollore.
  • Ofrimi i strategjive të mbështetjes pedagogjike dhe emocionale nxënësve me tendencë për braktisjen e shkollës.
  • Prezantimi i mekanizmit për të identifikuar fëmijët që priren ta braktisin shkollën dhe gjetja e rrugëve efektive të përfshirjes së tyre sociale në jetën dhe veprimtarinë e shkollës.
  • Fuqizimi i marrëdhënieve familje-shkollë- komunitet dhe funksionimi i organizmave të ngritur brenda shkollës.

Debatet dhe trajnimet u lehtësuan nga znj. Aurela Zisi, IZHA. Gjatë trajnimit u shpjegua moduli i hartuar në kuadër të zbatimit të nismës “Sigurimi i frekuentimit dhe i mbarimit të arsimit bazë nga çdo fëmijë”.

Takime, konsultime dhe debate në lidhje me ecurinë e identifikimit të fëmijëve jashtë shkolle

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve (Observatori) përgjatë muajve Shkurt- Prill 2016 realizoi takime, konsultime dhe debate me grupe të veçanta pjesëmarrësish për të diskutuar në lidhje me ecurinë e identifikimit të fëmijëve jashtë shkolle. Takimet u realizuan në kuadër të zbatimit të nismës “Çdo fëmijë në shkollë”, me vëmendjen e veçantë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe në partneritet me UNICEF Shqipëri.

 

Rreth nismës

Nisma “Çdo fëmijë në Shkollë” po realizohet nën vëmendjen e MAS, në partneritet me UNICEF dhe po zbatohet nga Observatori. Kjo nismë ka filluar në vitin 2013 me synim identifikimin dhe rregjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve në moshë të detyrimit shkollor si edhe parandalimin e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve që janë në rrezik braktisjeje. Nisma synon ngritjen e mekanizmave të mjaftueshme që çdo fëmijë i moshës së detyrimit shkollor të ndjekë shkollën 9-vjeçare.

Zbatimi i Urdhërit të përbashkët 3 Ministror (U3M) “Për identifikimin dhe rregjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor” po pilotohet në Bashkinë Durrës. Në bashkëpunim me grupin e punës së kësaj nisme, i përbërë nga përfaqësues të Ministrive dhe institucioneve të tjera, janë përzgjedhur 10 shkolla 9- vjeçare publike të Bashkisë Durrës (sipas ndarjes së re administrative). Kriteret e përzgjedhjes u bazuan në treguesit e kartës së performancës së secilës shkollë. Në 10 shkollat pilot në Durrës janë intensifikuar përpjekjet dhe ndërhyrjet për monitorimin e ecurisë së zbatimit të U3M.

Qëllimi i takimeve

Takimet u realizuan me qëllim ecurinë e identifikimit të fëmijëve jashtë shkollë dhe mobilizimin e të gjithë aktorëve lokalë për zbatimin e Urdhërit të përbashkët 3 Ministror “Për identifikimin dhe rregjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor”.

 

Grupet me të cilat u zhvilluan takimet

Takimet u zhvilluan në bashkëpunim me institucionet lokale në Durrës dhe në mënyrë të veçantë me:

  • Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR) Durrës;
  • Institucioni i Prefektit Durrës.

Grupet e veçanta më të cilat u zhvilluan takimet janë:

  1. Drejtues të 10 shkollave pilot dhe shkollave të tjera;
  2. Mësues të 10 shkollave pilot dhe shkollave të tjera;
  3. Nxënës, anëtarë të Qeverisë së nxënësve të 10 shkollave pilot;
  4. Psikolog dhe punonjës socialë të 10 shkollave pilot dhe shkollave të tjera;
  5. Nxënës, anëtarë të Qeverisë së nxënësve të shkollave të ndryshme;
  6. Prindër, anëtarë të Këshillit të prindërve të 10 shkollave pilot;
  7. Përfaqësues të Institucioneve të ndryshme lokale në Durrës;
  8. Grupi i punës nga Ministritë dhe institucionet vartëse për zbatimin e Urdhërit të përbashkët 3 Ministror.

Takimet rezultuan me një pjesëmarrje të gjerë të përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, të cilët shprehën interes për mobilizimin e të gjithëve në kuadër të zbatimit të U3M.