Beteja kundër Martesës së Fëmijëve

Martesa e fëmijëve është një shkelje e të drejtave të njeriut që ndikon negativisht në arsimin, shëndetin dhe mirëqenien e djemve dhe vajzave dhe zgjat vazhdimësinë e cikleve të varfërisë dhe pabarazisë. Observatori është entiteti i parë në Shqipëri që ka ngritur çështjen e martesave të fëmijëve dhe ka ndërmarrë katër vite angazhim intensiv në ekplorimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi këtë praktikë.

Përqasja ndaj kësaj çështje ka filluar në janar të vitit 2015, kur Observatori, i mbështetur nga Fondi Kanadez për Iniciativat Lokale (CFLI), filloi një projekt për Martesën e Fëmijëve në Shqipëri duke u përqëndruar në komunitetin Rom në tri zona të përzgjedhura: Shkoza, Tufina dhe Liqeni. Ky studim pati për qëllim të nxjerrë në pah fenomenin e martesave të fëmijëve/të hershme në komunitetin Rom, si dhe aktorët që kontribuojnë në këtë fenomen dhe efektet që këto martesa sjellin. Për më tepër referojuni raportit të studimit të disponueshëm në: http://observator.org.al/ëp-content/uploads/2015/03/2015-Martesat_e_hershme_ne_Shqiperi.pdf.

Nisma e parë solli një reagim publik duke nxjerrë në pah se kjo situatë nuk ndodhte vetëm në komunitetin Rom, por gjithashtu edhe në zonat rurale, kështu që ajo u pasua nga një nismë e dytë, me mbështetjen e CFLI, e pilotuar në Korçë dhe Vlorë. Kjo nismë e dytë synoi të analizojë Karakteristikat Demografike, Karakteristikat e Prejardhjes Familjare, Karakteristikat e Prejardhjes së Arsimimit, Jetën Familjare, Statusin Ekonomik dhe Social të grave të martuara herët, si dhe arsyet e Martesave të Hershme. Raporti studimor mund të aksesohet në: http://observator.org.al/ëp-content/uploads/2016/02/ZEB_Studimi_al_12Shk2016.pdf.

Duke qenë se mënyra e vetme ligjore për të hyrë në një martesë Nën moshë është Gjykata, nisma e tretë analizon aspektet ligjore dhe sociale të martesave nën moshë në Shqipëri. Kjo nismë, e realizuar në bashkëpunim me CFLI, ka rezultuar në dy raporte studimore që përqëndrohen në identifikimin dhe analizimin e praktikave gjygjësore me temë “kërkesë për lidhje martese nën moshë” dhe se si “martesa nën moshë” ka ndikuar jetën sociale dhe familjare të të rejave. Raportet studimore janë të disponueshme në: http://observator.org.al/ëp-content/uploads/2017/03/Raporti-martesat-nen-moshe_al.pdf dhe http://observator.org.al/ëp-content/uploads/2018/07/Raport2-Analiza-ligjore-dhe-sociale-e-martesave-n%C3%ABn-mosh%C3%AB_Qershor2018.pdf.

Këto studime zbuluan informacion të rëndësishëm mbi praktikën e martesave të fëmijëve në Shqipëri, dhe për grupet sociale që prek kryesisht. Studimet gjithashtu shqyrtuan disa nga arsyet pse njerëzit e mbështesin këtë praktikë. Por, nevoja për të siguruar një vështrim në thellësi të çështjes së martesave të fëmijëve dhe për të shqyrtuar normat shoqërore që mbështesin/pengojnë praktikën mbetën akoma të paadresuara.

Nën vëmendjen e Minisrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim të ngushtë me UNICEF dhe UNFPA në Shqipëri dhe me mbështetjen financiare të Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim, në 14 dhjetor 2018 u prezantua raporti “Martesa e Fëmijëve- Njohuritë, Qëndrimet dhe Perceptimet ndër komunitetet e prekura në Shqipëri”. Ky studim cilësor u ndërmor për të mbledhur të dhëna mbi njohuritë, qëndrimet, besimet dhe perceptimet, pritjet shoqërore, nxitësit, sanksionet dhe normat që lidhen me martesën e fëmijëve në Shqipëri. Studimi, i realizuar ndërmjet vjeshtës 2017 dhe verës 2018, u përqëndrua kryesisht në popullsinë Rome dhe rurale dhe/ose të varfër ku fenomeni duket të jetë më i përhapur. Gjetjet dhe rekomandimet do të udhëheqin më mirë përfshirjen e çështjes së martesave të fëmijëve në programet dhe strategjitë kombëtare të aktorëve qeveritarë dhe jo-qeveritarë, si dhe të agjensive të UN. Gjetjet do të ndihmojnë këta aktorë të kuptojnë më mirë çështjen e martesave të fëmijëve dhe të ndërtojnë një bazë të përbashkët për të ndërmarrë aksione. Raporti studimor është i disponueshëm në: http://observator.org.al/ëp-content/uploads/2018/12/Raporti-Martesa-e-Femijeve-Versioni-final.pdf.